Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimimin e “Bashkë Fitojmë”, Ilir Meta drejtues i koalicionit opozitar

Nga A2 CNN
21 Prill 2023, 19:44 | Politikë
Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimimin e “Bashkë Fitojmë”,

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dy ankimimet e bëra nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Kësisoj, në fletën e votimit, përbri emrit të koalicionit opozitar do të mbetet emri i Ilir Metës dhe jo ai i Sali Berishës, siç kishte kërkuar pala ankimuese.

Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga KAS, i cili pranoi kërkesën e grupimit Alibeaj për caktimin e një emri përbri logos së koalicionit në fletën e votimit për kandidatët për Këshillat Bashkiakë.

Po ashtu, koalicioni “Bashkë Fitojmë” kishte kërkuar që logot e partive politike të mos viheshin krahas fletës së votimit për kryetarë bashkie. Kërkesë kjo që u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor.

Dy ditë më parë, Partia e Lirisë, me anë të një shkresë dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëri të ditur se drejtuesi i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” ishte Sali Berisha.

Kjo pasi me publikimin e modelit për fletën e votimit për kandidatët për Këshillat Bashkiakë, përbri numrit një në listë që është koalicioni “Bashkë Fitojmë” mungonte emri i drejtuesit të koalicionit.

Ky detaj u përdor nga socialistët të cilët nuk ngurruan që gjatë takimeve elektorale të përmendin që “asnjë demokrat nuk do ta donte emrin e Ilir Metës si drejtues në fletën e votimit.”

Në marrëveshjen për krijimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” specifikohet se drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike, e përfaqësuar nga organet drejtuese të saj. Megjithatë, shkresa e drejtuar KQZ-së mbante vulën dhe firmën e Endrit Braimllarit, sekretarit organizativ të Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos