
Mbyllja e vitit 2022 shënoi edhe fundin e epokës Edy Reja në krye të Kombëtares. Prej emërimit më 17 prill 2019, trajneri e drejtoi Shqipërinë për më tepër se tre vjet e gjysmë.
Ai erdhi si njeriu që do ndihmonte në ringritjen e skuadrës, duke përfshirë edhe rinovimin e kontingjentit, teksa u largua mes zhgënjimit total në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë e mbyllën grupin në vendin e fundit dhe pa asnjë fitore.
Objektivat në fillim të edicionit ishin të rëndësishëm. Ndoshta edhe më optimistë nga sa duhej, duke vlerësuar pjesëmarrjen në Ligën B.
Përjashtimi i Rusisë për luftën në Ukrainë, bëri që Shqipëria të mbetej në grup me Izraelin dhe Islandën. Objektivi i përcaktuar ishte fitimi i grupit, për të siguruar ngjitjen në Ligën A, por më kryesorja të luhej shansi për një biletë në Europianin e vitit 2024.
Ambiciet dhe parashikimet u përmbysën plotësisht në fushë. Zero fitore në 4 ndeshje. Dy barazime dhe dy humbje, me 4 gola të shënuar dhe 6të pësuar. Një dështim total.
Grupi u fitua nga Izraeli, që i mposhti kuqezinjtë në të dy ndeshjet me rezultatin 2-1. Përballë Islandës, skuadra e Rejas i barazoi të dy rastet me shifra të ngjashme, 1-1.
Paraqitja e fundit në Arenën Kombëtare, u shoqërua me revoltën e paprecedentë të Tifozëve Kuq e Zi. Mbështetësit më të mëdhenj të Kombëtares, nuk pranuan duartrokitjet e lojtarëve dhe fanellat e tyre, duke reaguar ashpër ndaj faktit që përveç mungesës së cilësisë në lojë, futbollistët nuk shfaqën angazhimin e duhur për ngjyrat kuqezi.
Një ngjarje që tregonte më së miri se atmosfera në ekip, zgjedhjet e trajnerit dhe situata me tifozët ishte në nivelet më të ulëta të dekadave të fundit.
Sikur kjo të mos mjaftonte, kuqezinjtë regjistruan një prej ecurive më të dobëta në histori, me 10 ndeshje pa fitore. Për t’u rikthyer te suksesi u nevojit miqësorja e 19 nëntorit me Armeninë, me golat e Skukës dhe Kristjan Asllanit.
Më parë kuqezinjtë u mposhtën 3-1 nga Italia, në miqësoren e luksit të luajtur në Tiranë. Avantazhi me Ismajlin në fillimin e ndeshjes ishte vetëm një iluzion për të arritur rezultatin e parë pozitiv në histori, pasi Di Lorenzo dhe Grifo me dy gola i dhanë suksesin të kaltërve.
Këtyre ndeshjeve u paraprinë miqësoret jo zyrtare me Arabinë Saudite dhe Katarin, te cilat nuk u lejuan të transmetoheshin në televizione nga dy skuadrat pjesëmarrëse në Kupën e Botës.
Nëse me arabët përfaqësuesja me lojtarë nga kampionati barazoi 1-1, madje pretendoi një penallti të padhënë, me Katarin u regjistrua humbja 1-0, që hyri në histori si një prej rezultateve më të dobëta të kuqezinjve.
Kontrata e Edy Rejas me Shqipërinë përfundoi pas testeve të nëntorit. Trajneri këmbëngulte se e shihte veten ende në krye të stolit, me objektivin drejt Europianit 2024.
Por, mosha e teknikut mbetej një handikap që nuk e favorizonte. Për më tepër, Reja ka shfaqur kokëfortësi, duke përdorur skemën 3-5-2 në lojën e përfaqësueses, edhe pse nuk i kemi futbollistët e përshtatshëm për atë rreshtim.
Cikli i Rejas përfundoi, me Shqipërinë që duhet të nisë një tjetër projekt, në kuadër të kualifikueseve të Euro 2024, eventit që do të zhvillohet në Gjermani.
Kundërshtarët në grup janë Polonia, Republika Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavia. Edhe pse nuk do të kemi përballë emra të mëdhenj, leksioni më i mirë nga edicioni i fundit në Ligën e Kombeve, ishte që në futboll objektivat nuk mund të hidhen vetëm për të ngritur entuziazmin e tifozëve dhe asnjë ndeshje nuk është e fituar pa zbritur në fushë.
Që të kualifikohet në Kampionatin Europian, Shqipëria duhet të pozicionohet në dy vendet e para të grupit kualifikues. Rrugëtimi nismë 27 mars, me ndeshjen përballë Polonisë që cilësohet kokë grupi. Të tetë sfidat e Grupit E do të luhen të gjitha në vitin kalendarik 2023, dhe përfundojnë me përballjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe në muajin nëntor.
Me CV e pasur, ku kishte drejtuar skuadra si Verona, Bologna, Leçe, Brescia, Torino, Genoa apo Napoli, Edy Reja erdhi në stolin kuqezi për të zëvendësuar bashkëkombësin e tij, Christian Panuçi, që përveç rezultateve negative kishte krijuar një atmosferë negative në skuadër, duke bërë që asgjë të mos funksiononte.
Prej moshës 73-vjeçare, fillimisht Reja firmosi kontratë afatshkurtër. Ai u emërua në stolin e Kombëtares për shtatë muaj, deri në fund të kualifikueseve të Euro 2020, me Shqipërinë që synonte pjesëmarrjen e dytë historike në një event madhor.
Pavarësisht eksperiencës së jashtëzakonshme në nivelet e larta të trajningut në Itali, kjo ishte aventura e parë e tij në stolin e një përfaqësueseje. Ky fakt dhe mosha relativisht e madhe, shkaktuan shumë polemika në opinionin sportiv. Për t'i hedhur më tepër benzinë zjarrit shërbeu incidenti në konferencën e parë për shtyp, në maj të 2019-ës, pasi prezantoi lojtarët e grumbulluar në sfidat me Islandën dhe Moldavinë.
Shqipëria i mbylli kualifikueset e Europianit 2020 në vendin e katërt, në grupin H që u fitua nga Franca, e ku Turqia u rendit e dyta dhe Islanda kaloi në play-off.
Pas asaj ecurie dhe negociatat që zgjatën për më tepër se5 orë, në nëntor të 2019-ës, Edy Reja rinovoi kontratën me Kombëtaren. Bëhej fjalë për një marrëveshje 2 vjeçare, me opsion rinovimi edhe për dy vjet të tjerë, nga e cila italiani përfitoi 300 mijë euro në vit.
Suksesi i parë i trajnerit u regjistrua në vitin 2020, ku Shqipëria u ngjit nga Liga C në Ligën B të Nations League. Fitorja 3-2 ndaj Bjellorusisë i dha kuqezinjve kreun e grupit, me një pikë më tepër se rivalët direkt.
Pengu i madh i atij edicioni mbetej humbja befasuese me Lituaninë në Arenën Kombëtare. Nëse e fitonte atë përballje Shqipëria do të siguronte fazën play-off, për të luajtur shanset që të siguronte një vend në Europianin 2020, që prej pandemisë u zhvillua në një vit me vonesë.
Me Edy Rejan në stol, Shqipëria regjistroi edhe pozicionimin më të mirë në kualifikueset e Kupës së Botës. Në garën drejt Katar2022, kuqezinjtë e mbyllën grupin në vendin e tretë. Anglia ishte fituese, teksa Shqipëria provoi të rivalizonte deri në fund me Poloninë e Lewandowskit.
Dueli i 12 tetorit në Tiranë u ndikua nga mungesat për hkak të Covid-19, teksa polakët fituan dhe siguruan vendin në play-off, aty ku kaluan Suedinë dhe morën pjesë në Botërorin 2022.
Me gjithë pengun e asaj që mund të ishte bërë ndryshe, Shqipëria i mbylli kualifikueset me 18 pikë, me Edy Rejan që u shndërrua në trajnerin i cili ka grumbulluar më tepër pikë.
Italiani e ka drejtuar skuadrën në 38 ndeshje, ku ka regjistruar14 fitore, 9 barazime dhe 15 humbje, me një golavarazh të përgjithshëm 46 gola të shënuar dhe 45 të pësuar. Gjatë kësaj periudhe në ekip janë përdorur mbi 40lojtarë, teksa formacioni nuk ka qenë thuajse asnjëherë njësoj në dy ndeshje.
Tashmë Kombëtarja është gati të shohë përpara. Fundi i epokës Reja do të hapë një tjetër epokë në krye të stolit kuqezi, me shpresën se Shqipëria do të sigurojë një tjetër pjesëmarrje në turnetë madhorë. (A2 Televizion)