Komisionet pa gazetarë, Meta: Armiqësi e Kuvendit me median, të tërhiqet menjëherë

Nga A2 CNN
8 Qershor 2021, 11:56 | Politikë
Komisionet pa gazetarë, Meta: Armiqësi e Kuvendit me median, të

Një akt të dënueshëm dhe antidemokratik e ka konsideruar presidenti Ilir Meta vendimin e kuvendit për ndalimin e medias për të ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit thekson se vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke kufizuar lirinë e medias dhe duke instaluar një regjim censure.

“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara. Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri”, shprehet Meta.

Sipas tij, kuvendi aktual ka vendosur të shtypë fjalën e lirë, duke përfshirë miratimin e paketës “Antishpifje”, në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias”.

Meta mbështet shqetësimin e gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe i bën thirrje Kuvendit dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga praktika e ngjashme me regjimin e Lukashenkos, se po dëmton integrimin europian të vendit.

“Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos