
Formati i Kategorisë Superiore do të ndryshojë prej sezonit 2023-2024. Vendimi u morr nga Komiteti Ekzekutiv në Federatën e Futbollit. Për ndryshimin e formulës së kampionatit u kryen diskutime fillimisht me drejtorët e klubeve dhe më pas me presidentët e ekipeve elitare. Në tryezë ishin disa propozime, por në fund është pranuar ajo që është skema më e re e përdorur nga UEFA, mbi të gjitha në Ligën e Kombeve.
Sipas skemës së re, kampionati mbetet me dhjetë skuadra, ai do të ketë katër faza, në të cilat skuadrat do të luajnë 36 ndeshje. Deri këtu gjithçka është sipas strukturës aktuale. Ndryshimi nis me pjesën kur ekipet e renditura në katër vendet e para do të përballen në një fazë play-off.
Ajo do të quhet “Final Four”, si në Ligën e Kombeve, por ndryshimi është se nuk ka gjysmëfinale dhe finale. Në rastin e Kategorisë Superiore, katër skuadrat do të zhvillojnë tre ndeshje, ku pasi e nisin me nga 0 pikë, ekipiqë grumbullon më tepër pikë shpallet kampion.
Të gjitha sfidat do të luhen në Arenën Kombëtare në Tiranë. Nëse dy ose më tepër ekipe kanë pikë të barabarta në fund të “Final 4”, atëherë renditja e titullit do të bazohet në klasifikimin përfundimtar të 36 javëve të rregullta të kampionatit.
Ekipi fitues i “Final 4” do të shpallet kampion i Shqipërisë dhe do të marrë pjesë në Champions League, ndërsa dy ekipet e tjera të renditura më mirë do të marrin pjesë në Conference League.
Pjesa tjetër e kampionatit nuk ka ndryshime. Skuadrat që e mbyllin sezonin e rregullt në vendet 9 dhe 10 bien në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, ekipi i vendit të tetë do të zhvillojë një finale me fituesin e play-off nga Kategoria e Parë.
"Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar vendimin për ndryshimin e formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke nisur që nga ky sezon 2023-2024.
Vendimit për ndryshimin e formatit i paraprinë disa raunde diskutimesh dhe konsultash mes përfaqësuesve të FSHF-së, drejtuesve dhe presidentëve të klubeve të kampionatit elitar gjatë ditëve të kaluara, ku u propozuan disa variante të ndryshme dhe në fund u ra dakord për formatin që u kalua për shqyrtim në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së.
Ndryshimi i skemës së kampionatit ka si synim për të afruar më shumë spektatorë në shkallët e stadiumeve, për të promovuar më shumë kampionatin shqiptar apo edhe për t’u dhuruar spektatorëve ndeshje me më shumë nivel kompetitiv në fundin e kampionatit. Gjithashtu, synohet që ky ndryshim të sjellë edhe më shumë të ardhura për klubet shqiptare në përfundim të sezonit.
Sipas skemës së re, kampionati “Abissnet Superiore 2023-2024” do të ketë katër faza dhe në përfundim të javës së 36-të ekipet e renditura në 4 vendet e para do të përballen në një fazë play-off. Kjo fazë do të quhet “Final 4” dhe ekipi fitues do të shpallet skuadra që grumbullon më shumë pikë në këto tre ndeshje. Të katër ekipet e nisin “Final 4” me 0 pikё, ndërsa ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës sipas skemës së mëposhtme:
Java 37 Java 38 Java 39
1-4 3-1 1-2
2-3 4-2 3-4
Rregullat e klasifikimit
Nëse dy ose më shumë ekipe kanë pikë të barabarta në fund të “Final 4”, atëherë renditja e tyre do të bazohet në klasifikimin përfundimtar të 36 javëve të kampionatit “Abissnet Superiore”. Ekipi fitues i play-off “Final 4” do të shpallet kampion i “Abissnet Superiore” dhe do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa 2 ekipet e tjera të renditura më mirë do të marrin pjesë në UEFA Conference League.
Në rastet kur ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë është i renditur në 3 vendet e para të play-off “Final 4”, e drejta për të marrë pjesë në UEFA Conference League do t’i takojë vendit të 4-t të renditur në play-off “Final 4”.
Sa i përket fundit të renditjes nuk ka ndryshime, teksa vendi i 9-të dhe i 10-të bien automatikisht në Kategorinë e Parë, kurse skuadra e vendit të 8-të do të zhvillojë një finale me fituesin e play-off të Kategorisë së Parë.
Komiteti Ekzekutiv ka miratuar ndryshimin e formatit të Abissnet Superiore përmes një vendimi që hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet që nga ky sezon që pritet të nisë." (A2 Televizion)
NJOFTIMI I FSHF-së