
Procesi i Vettingut ka përjetuar një verë të nxehtë ku i gjithë procesi, që ka patur gjatë viteve bllokime të njëpasnjëshme, duket se është përshpejtuar. Të paktën këtë konfirmojnë gjetjet statistikore të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që ka studiuar hollësisht ketë proces nga shkurti i vitit 2018.
Erida Skëndaj, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, e ftuar në A2 bën një bilanc , ende të pjesshëm, të gjetjeve të hulumtimit duke vene pikën mbi disa çështje thelbësore.
Nga këto hulumtime, rezulton se 60 gjyqtarë/prokurorë janë shkarkuar nga detyra, 76 janë konfirmuar në detyrë, ndërkohë që për pjesën tjetër është pushuar apo ndërprerë procesi i vettingut si rezultat i dorëheqjes apo daljes në pension.
Interesante për të ka qenë numri i lartë i ankimimeve mbi 186 vendimet e organeve të Vettingut, ku rreth një e treta është apeluar, kryesisht nga figura e komisionerit publik, “që është figura që duhet të mbrojë pikërisht interesin publik, atëherë ku KPK nuk ka zbatuar në mënyrë korrekte ligjin e Vettingut”, duke dërguar çështjen në KPA, ndërkohë që kjo e fundit shpesh herë ka dhënë edhe vendim të kundërt me atë të KPK.
Sipas Skëndaj, shpesh herë edhe brenda këtyre institucioneve ka patur divergjenca opinioni midis anëtarëve, gjë që për atë “tregon një element të rëndësishëm të paanshmërisë dhe integritetit profesional”.
Një tjetër faktor është pesha e denoncimeve të publikut, ku këto të fundit janë pasqyruar shpesh herë, por pa patur të qartë sa janë marrë parasysh në vendimmarrje, si dhe kriteret që janë aplikuar ndaj deklarimeve të pasurisë së deklaruar, ku për shkak të historisë së transicionit shqiptar është krijuar një tolerancë “dhe çdo rast është parë në specifikën e tij”.
Shumë vendime për shkarkim janë dërguar në Gjykatën e Strasburgut, dhe ne ketë aspekt drejtoresha e Komitetit të Helsinkit mendon se “Strasburgu ka dhënë gjykime negative ose i ka tërhequr vëmendjen edhe sistemeve gjyqësore shumë më të konsoliduara se ai shqiptar, dhe se vendime specifike “nuk mund të delegjitimojë të gjithë procesin e Vettingut”, i cili po njeh një “pastrim” të gjyqësorit. (A2 Televizion)