Mjeku Artan Koni është i pari që është marrë në pyetje nga SPAK në lidhje me koncesionin e mjeteve të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një muaj pas kallëzimit të bërë në prokurori. Pas dëshmisë së dhënë, mjeku Koni tha se është pyetur mbi të dhënat shkresore që ka rreth dyshimeve të këtij akti korruptiv.
“Është një koncesion për të cilin paguajmë 17 milionë euro në vit. Për një set kirurgjikal ne kosto na del 2,4 euro, ndërsa koncesionit i paguajmë 190 euro. Kjo është baza e dyshimeve që kemi ne për një koncesion korruptiv”, tha ai.
Edhe pse pa përmendur shifra të dëmit që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit, Koni tha se prokuroria duhet të përcaktojë nëse ka apo jo dëm financiar. “Prokuroria duhet të thotë a ka dëm financiar dhe kush është përgjegjësi për këtë dëm financiar që mund t’i jetë shkaktuar buxhetit të shtetit. Sot dhashë detaje për artë kallëzim që bëmë dy javë më parë. Nuk kam prova të reja”.
Për këtë kallëzim pritet të merren në pyetje edhe përfaqësues të Nismës Thurje, ndërsa ish-ministri, në detyrë asokohe, Ilir Beqaj do të jetë personi i fundit që do të merret në pyetje nga SPAK. (A2 Televizion)