Konfirmohet Balla e Spiropali, Rama: Tani nis puna për dy fitoret e tjera, 2023 e 2025

Nga A2 CNN
27 Gusht 2021, 21:21 | Politikë
Konfirmohet Balla e Spiropali, Rama: Tani nis puna për dy fitoret e tjera,

Ende pa formuar kabinetin e ri qeveritar për mandatin e 3-të, kryeministri Rama duket se ka nisur punën për fitoren e  dy zgjedhjeve të ardhshme. 

“Nis puna për 2 fitore të tjera, zgjedhjet vendore të 2023 dhe ato parlamentare të 2025 . Populli do të ndajë të njomët nga të thatët. Mandati i tretë do të jetë më i vështiri, pasi do të rikonfirmohet PS-së 4 vite nga sot”.

Në mbledhjen e zhvilluar në Pallatin e Brigadave, kreu i socialistëve, i bëri të qartë grupit të tij parlamentar se çfarë nuk ndryshon në parti, duke lënë të hapur pikëpyetjen për kryetarin e ri të Kuvendit.

“Taulanti ka drejtuar grupin me këmbëngulje të spikatur dhe Elisa ka qenë e përkushtuar duke përfaqësuar qeverinë me aftësi në debate parlamentare. Të dy kanë konfirmimin e tyre në detyrë në mandatin e tretë për ta çuar në një nivel tjetër performancën e PS-së në qeverisje”.

Edhe në këtë mandat të 3-të, duket se socialistët do të jenë aktiv në ligjvënie, duke tentuar edhe dublimin e funksioneve të SPAK.

“Nuk do presim që SPAK të merret me çdo vatër. Do jemi kërkues, hulumtues dhe grumbullues faktesh dhe prova duke veshur me armaturë edhe me ligj të veçantë dhe duke mbyllur në një kohë të shpejtë rrethin e shërbimeve digjitale për publikun”.

Kreu i socialistëve i shtriu sërish dorën e bashkëpunimit pa kushte Partisë Demokratike, ndërsa nuk la pa komentuar dhe rolin e Sali Berishës në parti.

“PD do vijë në parlament me një dhëmballë të prishur të cilën s’ka kurajo ta shkulë dhe as vullnet ta qetësojë. Infektimi i fytyrës së PD nga ajo dhëmballë duke  bërë PD të pavotueshme dhe të shpërfytyruar. Pavarësisht se kemi lënë përshtypje të ndryshme s’duhet ta kemi gjatë mandatit të 3 luftën me PD”.

Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, kryeministri pranoi ato nuk shkojnë vaj, ndërsa kërkoi rritjen e bashkëpunimit mes qeverive dhe deputetëve të dy vendeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos