
30 punonjës të stadiumit të Shkodrës “Loro Boriçi dhe fushë sportive “Reshit Rusi” kanë 5 muaj që nuk marrin pagat e tyre minimale dhe për rrjedhojë nuk iu janë paguar as sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore.
Pas kërkesave të shumta ata kanë vendosur të protestojnë dhe të ngrenë zërin për problemin e tyre. Shkak për këtë duket se janë konfliktet me origjinë politike mes bashkisë dhe Prefekturës në Shkodër, pasojat e të cilit i vuajnë shtresat më në nevojë të punonjësve që edhe atë pagë minimale nuk po arrijnë ta marrin.
Ndërkohë burime pranë Prefekturës së Shkodrës janë shprehur jashtë kamerave se problem i pagave të punonjësve të stadiumit do të jetë çështja e parë e rendit të ditës kur të mblidhet këshilli i ri bashkiak. (A2 Televizion)