Konflikti i kompetencave, Kushtetuesja shqyrton përplasjen Meta-Rama për mosdekretimin e Cakajt

Nga A2 CNN
18 Maj 2021, 10:22 | Aktualitet
Konflikti i kompetencave, Kushtetuesja shqyrton përplasjen Meta-Rama

Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama u përballën për herë të parë në Kushtetuese. Para shtatë anëtarëve të saj, përfaqësuesja ligjore e qeverisë pretendoi se Ilir Meta tejkaloi kompetencat kur nuk dekretoi si ministër Gent Cakajn, në janar 2019. Ndërsa përfaqësuesi i Presidentit tha se konflikti kushtetues nuk ekzistonte. 

Përmes Elira Kokonës, përfaqësueses së saj para Kolegjit Kushtetues, qeveria kërkoi zgjidhjen e konfliktit, me qëllim mospërsëritjen e tij në të ardhmen. Sipas qeverisë, Presidenti kishte keqinterpretuar kushtetutën kur refuzoi të dekretonte Cakajn si ministër, duke marrë atribute që nuk i takonin: “Presidenti refuzoi të emërojë kandidatin e propozuar nga kryeministri jashtë çdo kompetence kushtetuese, duke cenuar parimet e parlamentarizimit. Detyra e Presidentit nuk mund të shtrihet në verifikimin e cilësive të kandidatit. Presidenti nuk ka tagër të bëjë këtë vlerësim, por as tagër për të refuzuar emërimin. Dekretimi është një akt solemn, protokollar. Kryeministri është i vetmi autoritet që propozon emrat e kabinetit qeveritar. Të drejtën për të vlerësuar kandidatin e ka Kuvendi dhe jo Presidenti”. 

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj, i tha gjyqtarëve kushtetues se Kreu i Shtetit kishte zhvilluar një takim me Edi Ramën pas propozimeve të ndryshimeve në qeveri, ku i ka kërkuar të rishohë propozimin e Cakajt. 

Por, a ekziston një mosmarrëveshje kushtetuse mes kompetencave të kryeministrit dhe presidentit? Para shtatë gjyqtarëve kushtetues, përfaqësuesi i Presidentit, Bledar Dervishaj, dha një përgjigje negative: “Nuk ka konflikt mes institucioneve. Ai nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston. Kërkesa e kryeministrit në këtë gjykatë është paraqitur vetëm në kontekstin politik. Presidenti Meta dhe kryeministri Rama u takuan në 4 janar 2019 dhe Presidenti e informoi që do ta kundërshtonte Gent Cakajn. Pas këtij takimi nuk pati asnjë reagim me shkresë, as nga kryeministri, as nga Kuvendi. Më pas, Presidenti emëroi emrin e Ramës si ministër, duke i dhënë fund ngërçit”. 

Në përfundim të seancës që zgjati pesë orë, anëtarët e Kushtetueses u tërhoqën për vendim përfundimtar, që pritet të publkohet në ditë në vijim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos