Zbardhet udhëzimi i PD-së për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë

Nga A2 CNN
25 Qershor 2020, 12:30 | Politikë

Kryesia e Partisë Demokratike miratoi udhëzimin që i hap rrugë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për deputet nga anëtarësia. Procesi përbëhet nga katër faza dhe me miratimin e tij, PD thotë se ka hapur “de facto” fushatën elektorale.

Udhëzimi parashikon ngritjen e një komisioni të vlerësimit të kandidaturave, që do të drejtohet nga Genc Ruli.

Faza e parë është ajo e identifikimit dhe propozimit të kandidatëve nga anëtarët e PD-së. Më pas, kalohet në verifikimin dhe seleksionimin e kandidatëve nga Komisioni, ndërsa në fazën e tretë lista e kandidatëve potencialë do të konsultohet me anëtarësinë, përmes parimit një anëtar, një votë.

“Në një ditë të shpallur paraprakisht për votim, çdo anëtar ka të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista. Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, përcaktohet në Fletën e Votimit dhe është jo më shumë se 20% e numrit total të listës së kandidatëve, për secilën Degë apo Qark. Kandidati që ka më shumë se 20% “votë kontestuese” në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të Partisë në atë Degë apo Qark, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi”, lexohet në udhëzim.

Procesi mbyllet me zyrtarizimin e listës nga Kryesia dhe miratimin e saj nga Këshilli Kombëtar i PD: “Kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia do të përbëjnë jo më pak se 80 % të listës së kandidatëve të Partisë në zgjedhje, ndërkohë që jo më shumë se 20 % e listës së kandidatëve do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes; personalitete politike me kontribut të gjatë në parti”.

Identifikimi i kandidatëve duhet të mbyllet brenda 31 korrikut, ndërsa faza e dytë, ajo e seleksionimit duhet të përfundojë më 15 shtator, për t’i lënë kohë anëtarësisë së PD-së që të shprehet me votë mbi kandidatët deri më 30 shtator. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos