
Nga studio e “Absolut 4” klerikët e komuniteteve të ndryshme fetare në vendin tonë kanë përcjellë mesazhin e paqes për konfliktin e ashpërsuar së fundmi në Lindjen e Mesme.
Kardinali Ernest Troshani tha se paqja është shqetësimi që ka bota sot dhe bëri thirrje për bashkim të zemrave dhe mendjeve të popujve në Lindjen e Mesme.
“Ajo që shqetëson sot në botë është paqja. Popujt të jetojnë në paqe dhe më shumë në Lindjen e Mesme, të bashkojnë zemrat dhe mendjen e njerëzve dhe me ngrit flamurin e dashurisë e begatisë”.
Edhe kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, përcolli mesazhin e paqes dhe uroi për zgjidhjen e konfliktit të trashëguar Izrael-Palestinë, i cili ka marrë vëmendjen e të gjithë botës.
“Vendet e qytetëruara të angazhohen për zgjidhjen e këtij problemi të trashëguar në kohë. Të gjitha fetë abrahamike kanë lindur aty në atë vend dhe ka shumë gjëra që mund të rregullohen se edhe vetë shtëpitë e zotit janë të ngjitura me njëra-tjetrën, aty kanë ardhur shumë profetë që kanë udhëhequr njerëzimin. Ka një angazhim në botë dhe nga liderët botërorë për të shuar këtë problematikë, që ndoshta do të sjellë gjëra pozitive që popujt të jetojnë në paqe. Jetën na e ka dhënë Zoti. Njeriu është krijesa më fisnike dhe dinjiteti i tij nuk do të shkelet. Uroj dhe shpresoj të vendoset paqja”.
Nga ana e tij, at Grigor Pelushi theksoi se njerëzimi ka nevojë për paqe dhe apeloi për t’u çliruar nga urrejtja.
“Unë lutem që të gjithë të bëhemi promotorë të paqes. Njerëzimi ka nevojë për paqe e dashuri. Çdo njeri në këtë botë pavarësisht ngjyrës, etnisë dhe racës është vëllai e motra ime. Të përpiqemi të gjithë të çlirohemi nga urrejtja dhe të kemi falje në shpirt e zemër se kështu sigurojmë të ardhmen”.
Për imzot George Frendo situata në Lindjen e Mesme është shumë e dhimbshme. Ai tha se duhet të luftohet për paqen kundër krenarisë dhe xhelozisë.
“Është diçka e dhimbshme kur shohim që ai vend gjendet në atë situatë. Të gjithë të krishterë, myslimanë e judenj vlerësojmë dhuratën e paqes, por paqja nuk është automatike, por duhet të luftojmë për paqen. Paqja fitohet kur luftohet kundër egos sonë, krenarisë sonë xhelozisë sonë”. (A2 Televizion)