
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, i ftuar në studion e “Absolut 4”, theksoi se komunizmi nuk arriti kurrë të shkulte nga zemra e njerëzve besimin në Zot.
“Shqipëria përjetoi një regjim të paimagjinueshëm, që zbrazi shumë gjëra në jetën shoqërore të njerëzve, por nuk shkuli dot nga zemra besimin në Zot. Pas viteve ’90, ishte e vështirë ringritja e infrastrukturës fetare, por po shikojmë që ka shumë të rinj që mbajnë Ramazan”, deklaroi Spahiu.
“Brezi i ri ka mundësi kërkimi falë teknologjisë dhe e kanë më të lehtë që të mbushi shpirtin dhe të largohet nga veset e këqija. Feja është ilaçi kryesor që kuron zemrën e njeriut. Njeriu është i ndërtuar nga komponenti shpirtëror dhe fizik. Kur janë në ekuilibër, njeriu kthehet nga e mira. Besimi në vetvete është siguri për veten, tjetrin dhe shoqërinë”, shtoi kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. (A2 Televizion)