
Konflikti i armatosur në Ukrainë nuk mund të mos linte pasoja për klubin më të njohur në pronësi të një miliarderi rus, për më shumë botërisht i njohur si përkrahës i hershëm i Vladimir Putin.
Roman Abramovich me një komunikatë zyrtare ka njoftuar se nuk do të jetë më presidenti i Chelsea. Klubi kampion i Europës dhe Botës do të menaxhohet nga ky moment nga bordi i fondacionit bamirës të ekipit britanik, dhe jo më nga pasaniku që nga ekip i mesëm i Premier League e shndërroi në një skuadër dominuese në Europë.
Në mesazhin e tij të shkurtër, Abramovich shkruan se ”për 20 vite kam parë rolin tim si mbrojtës i interesave të klubit, një rol që ka siguruar sukseset e tanishme, por edhe ato të ardhshme, dhe në të njëjtën kohë duke luajtur një rol pozitiv në komunitet.
Gjithmonë kam marrë vendimet në interes të klubit, për këtë arsye mendoj se bordi bamirës i Chelsea Foundation është në pozitë për të bërë interesat e klubit, stafit dhe tifozëve”.
Nuk dihet ende nëse tërheqja publike nga roli i presidentit do të thotë një përgatitje për shitje të klubit, por qartësisht vendimi ka të bëj me ngrirjen e aseteve të miliarderëve rusë në Britaninë e Madhe, si sanksion ndaj sulmit të Moskës në Ukrainë.
Vendimi vjen pasi ministrja e Jashtme britanike Lizz Truss njoftoi sot një listë të re oligarkësh rusë mbështetës të Putin, ndaj të cilëve do merren masa të rrepta në ditët në vijim.
Abramovich, që prej kohësh jetonte në Izrael, nuk përmendi konfliktin. Në të kaluar, ai ka mbajtur edhe poste politike të rëndësishme si ai i guvernatorit të shtetit siberian të Çukotkës. (A2 Televizion)