
Konsultimet për datën e zgjedhjeve, presidenti Bajram Begaj i mbylli, këtë të enjte, me kreun e grupit parlamentar të socialistëve dhe kryetarin e PDIU. Pas një takimi që zgjati për më shumë se 1 orë, Taulant Balla pohoi se jo vetëm që nuk i kishte propozuar një datë presidentit, por shprehu komoditetin që ka Partia Socialiste me çdo datë që do të dekretohet nga Begaj.
“Nuk kemi qenë të prerë në një propozim tonin, për këtë datë sepse besojmë që presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet, ne jemi të gatshëm që të marrim në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato në secilën datë, ajo që vërej me vlerësim është gatishmëria për të dëgjuar të gjithë aktorët politikë që priten që të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Balla.
Pasditen e së mërkurës presidenti Begaj ftoi për konsultim edhe kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajn. Ky i fundit i bëri thirrje kreut të shtetit të vendosë datën më të afërt që lejon kushtetuta për zgjedhjet vendore të 2023-it.
“Sugjerova që do duhet të jetë një datë sa më herët brenda kësaj periudhe. Për një arsye të thjeshtë, se duhet që një orë e më parë do duhet t’u japin të drejtën shqiptarëve të votojnë për zgjedhjet. Pa cilësuar një datë fikse qëndrimi ynë është një orë e më parë. Data e zgjedhjeve është një datë ku shprehet vullneti i shqiptarëve”, tha Alibeja.
Konsultimet, Presidenti i çeli pak ditë më parë me nënkryetarin e PD-së, Oerd Bylykbashi, që i përket linjës së Berishës. Një veprim përmes të cilit Begaj tregoi se nuk e injoronte realitetin politik brenda opozitës. Gjesti nuk ka kaluar pa u vënë re nga Balla dhe Alibeaj, që duket se ishin të sinkronizuar në qëndrimin shpërfillës.
“Nuk di se kë ka pritur Begajn, se nuk mbaj regjistrin e tij, të gjithë respektojmë ligjin dhe në këtë këndvështrim, në Kuvendin e Shqipërisë kryetari i grupit parlamentar, janë Mediu, Doda, dhe Alibeaj, pastaj nëse deputetë të caktuar kërkojnë takime me Presidentin e Republikës, mendoj se edhe ndonjë deputet socialist mund të kërkojë takim me presidenti”, tha Balla.
“Jam thirrur si ushtrues i detyrës i kryetarit të PD-së kaq më mjafton, për të përcaktuar, është e drejta e tij të thërras këdo, të tjerët e dinë vetë”, tha Alibeaj.
Takimin e fundit Begaj e zhvilloi me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi, i cili tha se nuk ishte i shqetësuar mbi datën që do të caktohet për zgjedhjet, por për standardet me të cilat duhet të zhvillohen ato. (A2 Televizion)