
Në një prononcim për mediat, një grup i kontrollorëve të transportit ajror, pjesë e Albcontrol, thanë se nuk janë interesat politike ato që i kanë shtyrë të hyjnë në grevë.
“Nuk jemi në kushtet e braktisjes së punës. Nuk është çështje politike. Nuk kemi interes të përfshihemi në politikën e ditës”, tha Rezart Kthupi, avokat i kontrollorve.
Ai pranoi se me uljen e trafikut ajror janë ulur edhe orët e punës, si dhe shtoi se rroga mesatare nuk është mbi 4000 dollarë, siç tha ministrja Belinda Balluku, por më pak se 200 mijë lekë.
“Është e vërtetë, nuk është mohuar... Por kontrata e punës është e drejtë që nuk cenohet në mënyrë të njëanshme. Është cenuar marrëveshja në mënyrë të njëanshme. Kërkojmë respektimin e kontratës së punës me pagën që ka kontrata e punës”, tha ai. “Ndryshimi i orareve të punës sjell shkëputjen e kontrollorit nga profesioni. Largimi për periudha të gjata kohore sjell paaftësi të pjesshme ose vështirësi në riintegrimin e tij. Kjo sjell rrezikun e një cilësie më të ulët në garantimin e sigurisë ajrore”. (A2 Televizion)