
Barazi në arsimin e fëmijëve, barazi në punësim dhe strehim ishin disa prej kërkesave të grave nga komuniteti rom dhe egjiptian në qytetin e Korçës, të cilat në ditën kushtuar atyre, dolën në një marshim proteste.
Sipas tyre, këto komunitete në Korçë jetojnë në kushte tepër të vështira. Kanë vështirësi të mëdha në gjetjen e një pune për të mbajtur familjet e tyre.
Ato janë shprehur se nuk kërkojnë as më shumë e as më pak sesa të drejtat e tyre dhe zotimet e shtetarëve dhe bashkisë për respektimin e të drejtave të tyre.
Kjo është hera e parë që gratë e këtij komuniteti bëjnë një protestë të tillë në Korçë, ndërsa thanë se manifestime të tilla, do të jenë më të shpeshta. Në qytetin e Korçës, jetojnë rreth 20 mijë egjiptianë dhe 2500 romë. (A2 Televizion)