
Pas reshjeve të dëborës, ulja e temperaturave deri në - 15 gradë ka ngrirë të gjitha rrugicat e Korçës.
Prej të paktën dy ditësh, banorët e këtij qyteti po përballen me një situatë të vështirë pasi ecja në rrugë dhe trotuare, kryesisht në brendësi të lagjeve, është një mision i pamundur dhe i rrezikshëm.
Përgjatë këtyre ditëve nuk kanë munguar edhe rastet e personave me fraktura që janë rrëzuar në akull. Banorët kërkojnë nga bashkia e qytetit juglindor që të merren masa dhe të bëhet kriposja e rrugëve.
Nga ana tjetër, zyrtarë të bashkisë së Korçës pranojnë problematikën në rrugicat e qytetit por për shkak të punës së madhe e cila po bëhet për pastrimin e rrugëve nacionale dhe zonave të bllokuara, nuk kanë mundur dot t'i pastrojnë në kohë.
Ndërsa, apelojnë për sensibilizimin e qytetarëve për të pastruar vetë pragun e tyre të shtëpisë. (A2 Televizion)