Koronavirusi bllokon lëvizjet, fermerët në vështirësi për shitjen e mallrave ushqimore

Nga A2 CNN
10 Prill 2020, 16:49 | Sociale
Koronavirusi bllokon lëvizjet, fermerët në vështirësi

Ndonëse në vetizolim për shkak të koronavirusit, thuajse çdo ditë qytetarët rendin drejt tregjeve për t’u furnizuar me ushqimet bazë. Por në fakt vetë prodhuesit e këtyre produkteve ushqimore, si në bujqësi, ashtu edhe në blegtori, hasin vështirësi të shumta, si pasojë e kufizimeve.

“Ky sektor dhe këta fermerë, të cilët kanë marrë edhe kredi për biznesin e tyre janë në vështirësi tani”, thotë Agim Rrapaj, ekspert i bujqësisë. “Sepse kanë problem me likuidimin e mallrave që kanë marrë me klering nga qendrat e grumbullimit dhe farmacitë veterinare dhe bujqësore, por edhe bankat nuk po kreditojnë tani”.

Vetë ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, e pranon gjendjen. “Pa diskutim që ka rënë kërkesa, ka disa produkte të serës që janë shoqëruar me probleme sa i përket shitjeve”, tha ai pak ditë më parë në një intervistë në A2.

Amarildo Bala, nga Baldushku, i cili ka në pronësi këto sera mbi 2 mijë m2, të mbjella me patate dhe spinaq, tregon për situatën që po kalon si prodhues. “Ka qenë e vështirë në këto momente”, tregon ai. “Thertoret dhe tregjet e kafshëve të gjalla janë të reduktuara sepse nuk punojnë restorantet”, thotë Rrapaj. “Është reduktuar edhe konsumi i mishit në këtë periudhë”.

Në këto momente bujqësia ndodhet në sezonin e mbjelljes për produktet e vjeshtës dhe fermerët kërkojnë mbështetje, kryesisht për sigurimin e tregut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos