
Presidenti Meta i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të respektojnë masat kufizuese të miratuara për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë.
“I ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi kjo është në interesin tonë të përbashkët. Në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne”, tha ai.
Megjithatë, presidenti vuri theksin edhe te rëndësia e faktit që masat duhet të jetë në përputhje me interesin e publik dhe kombëtar. “Masat kufizuese duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të ligjeve në fuqi, por edhe t’i përgjigjen vetëm nevojës dhe urgjencës së përballimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur nga Këshilli i Ministrave. Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garancia kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie për të gjithë”, shtoi presidenti. (A2 Televizion)