Pandemia Covid-19, e cila ka bërë që shumë lojtarë të mungojnë, pritet të ndikojë edhe në ndryshimin e skemës nga Edy Reja.
Fakti që Marash Kumbulla, rezultoi i infektuar minimizoi alternativat për të luajtur me 3 mbrojtës qendre dhe tashmë trajneri pritet ta rreshtojë skuadrën me skemën 4-3-1-2.
A2 arriti të sigurojë skemat e drejtuesit të stolit kuqezi, ku surprizat nuk do të mungojnë.
Berisha në portë do të ketë ndihmën e Gjimshitit e Ismajlit, ndërsa nga krahët mund të luajë Doka nga e djathta dhe Hysaj nga e majta. Një opsion është edhe aktivizimi i Hoxhallarit prej minutës së parë, që do të spostonte Hysajn në krahun e djathtë.
Në mesfushë, surprizë mund të jetë aktivizimi i Ramadanit, Selahit dhe Abrashit, me Sherif Kallakun që do të luajë në rolin e tij natyral si fantazist pas shpinës së dy sulmuesve.
Në mungesë të Brojës, i cili ka fituar shumë kuota në formacion, manovra ofensive pritet t’i besohet dyshes Rey Manaj-Myrto Uzuni, me Sokol Cikalleshin që mbetet një alternativë e mirë, pasi ofron forcë fizike dhe eksperiencë.
Vëllazërorja me Kosovën do të jetë shansi i të gjithë futbollistëve që kanë pasur pak hapësira për të luajtur dhe për të konfirmuar kualitetin, në mënyrë që të bëhen pjesë e përhershme e projektit për edicionin e ardhshëm. (A2 Televizion)
