
Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, foli në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore, të së mërkurës, ndaj Shqipërisë, duke u shprehur se kjo ndeshje dhe dy sfidat e Ligës së Kombeve do të shërbejnë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2022.
“Ka kaluar një vit që s’kemi fituar, por nuk kemi zhvilluar ndeshje as në mars e aq në qershor. Ka ardhur më pas një periudhë që nuk ka qenë aspak e mirë për ne. Duhet ta kemi parasysh se vitin e kaluar jemi përballur me kundërshtarë si Anglia apo Çekia. Pastaj erdhën ndeshjet e Ligës së Kombeve, por është e qartë se ne e kishim përqendrimin te sfida me Maqedoninë. Pas asaj ndeshjeje ishte e vështirë të reagonim. Tani jemi në një fazë tjetër, në grumbullimin e fundit për këtë vit. Kjo le të jetë si përgatitje për ndeshjet kualifikuese të Botërorit”.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kapiteni Amir Rrahmani, që fatkeqësisht mungoi në ndeshjen më të rëndësishme të Kosovës, ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të pandemisë së Koronavirusit.
“Jo vetëm dy ndeshjet me Slloveninë dhe Moldavinë, por edhe me Shqipërinë, do të jenë një mundësi që të përgatitemi sa më mirë për kualifikueset e Botërorit. Jemi në vazot që do të na bien kundërshtarë më të fortë”. (A2 Televizion)