
Dy persona u konfirmuan të vdekur nga koronavirusi mëngjesin e sotëm në Kosovë, duke e çuar në 3 numrin e personave që kanë humbur jetën. Për këtë arsye, kryeministri në detyrë Albin Kurti e vlerësoi mëngjesin e sotëm si më të hidhurin që prej 13 marsit, kur u konfirmua edhe rasti i parë.
Kurti theksoi se ka ekzistuar frika për një numër më të lartë personash të prekur, por u shpreh se sërish masat nuk duhen nënvlerësuar, pasi Kosova është në mes të betejës me koronavirusin.
“Mëngjesi i sotëm na doli më i hidhuri që nga 13 marsi dhe 22 marsi, ditët kur u shënua rasti i parë i infektimit dhe rasti i parë fatal si pasojë e COVID-19. Tani i kemi tre të vdekur gjithsej. Pra, nuk ka mbaruar asgjë. Në fakt, jemi në mes të betejës. Më shumë se kurrë na nevojitet vendosmëria e secilit qytetar.
Prandaj:
Qëndroni të pastër.
Qëndroni në distancë.
Qëndroni në shtëpi.
Vetëm kaq na duhet që të fitojmë. Më lehtë e më thjesht nuk ka qenë asnjëherë. Me pak disiplinë do t’ia dalim. I kemi 23 të shëruar e 145 raste të konfirmuara. E, nga profesionistët mësojmë se është pritur që numri i të prekurve me virusin të jetë shumë më i madh. Mirëpo, kjo nuk duhet të na relaksojë. Përkundrazi. Po hyjmë në javët kritike të virusit, dhe, ta bëjmë këtë për veten tonë, për më të dashurit tanë e, mbi të gjitha, për heronjtë në vijën e parë të frontit. Duhet ta vonojmë në kohë dhe ulim në përmasë sa më shumë ngritjen e lakores së shpërndarjes së COVID-19.
Prandaj, sërish:
Qëndroni të pastër.
Qëndroni në distancë.
Qëndroni në shtëpi”. (A2 Televizion)
Albin Kurti