
Kosova përballet me pandeminë koronavirus mes një krize të thellë politike. Presidenti, Hashim Thaçi lëshon një apel për qytetarët, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës vijon punën për mbledhjen e firmave me qëllim thirrjen e një seance në Kuvend, ku do të votohet mocioni i mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.
Kreu i Shtetit kërkoi kujdes të shtuar për higjienën personale dhe ruajtjen e distancës sociale të sigurisë. Duke këshilluar shmangien e daljeve nga shtëpia, presidenti shkruan në Ffacebook, se këto ditë janë vendimtare për të kufizuar përhapjen e Covid-19.
“Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilët duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm”, tha ai.
Kosova numëron 20 të infektuar me koronavirus, të gjithë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Qeveria ka marrë disa masa duke pezulluar aktivitetin arsimor dhe evente të ndryshme argëtimi.
Të gjitha bizneset kanë reduktuar aktivitetin, përveç atyre të domosdoshme si supermarketet dhe farmacitë. Megjithatë qytetarët e Kosovës i konsiderojnë të pamjaftueshme këto masa, dhe këtë pakënaqësi e treguan duke protestuar në këtë mënyrë. Ata kërkojnë shpalljen e gjendjes së emergjencës, njësoj si presidenti Hashim Thaçi, i cili ka hartuar dhe firmosur një dekret dhe është në pritje të vendimit të kuvendit. (A2 Televizion)