Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se ka shkuar në 518 numri i personave të prekur nga koronavirusi në Shqipëri, nga të cilët 25 persona kanë ndërruar jetë. Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 24 raste të reja.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se prej 5 ditësh numri i të shëruarve e ka kaluar numrin e të infektuarve aktiv, por sipas ministres lufta nuk ka mbaruar.
“Lajm inkurajues është se numri i të shëruarve prej 5 ditësh rezulton të ketë kaluar numrin e të infektuarve aktiv. Kjo është një shenjë e mirë krahasuar me vendet e rajonit, por ende nuk është koha për bilance se nuk jemi në kushtet kur lufta ka mbaruar”.
Duke u shprehur së po propozohet të forcohen masat përmes amendimeve ligjore për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe për të siguruar shëndetin e tyre, Manastirliu apeloi që qytetarët të vazhdojnë të zbatojmë masat e vendosura.
“Një thirrje për qytetarët, dhe do kërkoja dhe ndihmën tuaj të nderuar deputetë, për të përçuar lajmin tek çdo qytetar që lufta me këtë virus fitohet nëpërmjet distancimit social, zbatimi i vetëkarantinimit, izolimi është thelbësor nëse duam ta fitojmë pa shumë humbje këtë luftë”, mbylli fjalën e saj Manastirliu.
Deklarata e plotë e ministrisë
Dje janë testuar 269 persona të dyshuar me COVID-19, mes tyre 53 janë personel shëndetësor.
Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 24 raste pozitive me COVID19, prej të cilëve 6 janë personel shëndetësor.
Nga rastet e reja 12 i përkasin Shkodrës, dhe kemi 3 raste në Tiranë, 3 raste në Kukës, 3 raste në Fier, 1 rast në Korçë, 1 rast në Kavajë, dhe hartës i shtohet Mallakastra me 1 rast.
Deri në këto momente janë testuar 4827 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 518 raste.
Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një paciente 64-vjeçare nga Tirana e intubuar prej më shumë se 2 javësh. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ka bërë arrest kardiorespirator. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor të reanimacionit nuk ka mundur të mbijetojë. 64-vjeçarja kishte disa sëmundje bashkëshoqëruese.
Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 26 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 277.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mallakastër dhe zgjerohet në Tiranë, Kukës, Fier, Kavajë, Shkodër dhe Korçë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
- Tiranë 241 raste
- Durrës 42 raste
- Lushnje 6 raste
- Elbasan 16 raste
- Fier 35 raste
- Kavajë 9 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 19 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 83 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 raste
- Has 13 raste
- Krujë 7 raste
-Tropojë 4 raste
- Pukë 5 raste
- Mirditë 3 raste
- Kukës 9 rast
-Mallakastër 1 rast (A2 Televizion)