
Nuk do të ketë më kontroll për bileta në trena, dorashka dhe maska për këdo që do të udhëtojë me avion. Janë këto disa nga masat që pritet të miratohen nga Ministria e Transportit për transportin e udhëtarëve në Fazën e Dytë të lehtësimit të masave. Në avion do të matet temperatura e pasagjerëve në hyrje dhe dalje dhe do të ketë hapësira sanitare, ndërsa në stacione po mendohet për kalime me sens unik.
Transporti Publik. Do të ruhet distanca dhe do të ketë kalime të ndara për hyrjen dhe daljen nga mjetet e transportit publik dhe në stacione. Po mendohet vendosja e dezinfektantëve dhe zëvendësimin e biletave prej letre me ato elektronike. Gjithashtu në këto lloj mjetesh të transportit publik do të vendosen dhe tabela që shpjegojnë se si duhet të sillen udhëtarët me paralajmërimin se kush nuk i zbaton rregullat mund të çojë në ndërprerjen e shërbimit për motive të sigurisë sanitare.
Në metro. Sisteme inteligjente për të monitoruar fluksin. Do të ketë shenja në këto mjete për të treguar vendet ku nuk mund të ulesh më për të garantuar distancimin social. Në qytete të mëdha, gjithashtu po mendohet për hyrje dhe dalje të veçanta në metro dhe mbajtjen e distancës dhe në shkallët elektrike. Kjo është edhe arsyeja pse po mendohet vendosja e sistemeve të nevojshme për të raportuar nivelin e fluksit dhe sistemet inteligjente të kamerave për t’i monitoruar.
Si do të ndryshojë udhëtimi në avion. Me shumë mundësi që pasagjerët në hyrje dhe në dalje do t’i nënshtrohen matjes së temperaturës me termoskaner. Mes masave është dhe ruajtja e distancës mes pasagjerëve, të cilët gjithashtu duhet të mbajnë maska dhe dorashka. Do të kërkohet vendosja e dezinfektantëve në të gjitha hapësirat në aeroporte.
Në rastin e transportit me taksi po mendohet lejimi i më së shumti dy pasagjerëve, ose vetëm një nëse nuk kanë maskë. Ndalohet ulja e pasagjerit pranë shoferit, i cili gjithashtu duhet të ketë mjetet e mbrojtjes personale. (A2 Televizion)