Korrupsioni në qeveri, Bardhi debat në Kuvend me Ballukun dhe Manastirliun

Nga A2 CNN
5 Qershor 2023, 15:36 | Politikë
Korrupsioni në qeveri, Bardhi debat në Kuvend me Ballukun dhe

Arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, u soll në sallën e Parlamentit nga opozita si tregues i korrupsionit qeveritar.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, ky rast i goditur nga SPAK tregon se në ekipin e Ramës gjoba që u kërkohet bizneseve për t’i favorizuar ka arritur në 40%.

Në mungesë të Kryeministrit, Gazment Bardhi sfidoi me pyetje numrin dy të Qeverisë, e cila u kundërpërgjigj me të njëjtin ton.

“Zonja zëvendëskryeministre sa e keni tarifën e korrupsionit në Ministrinë tuaj? E keni biseduar me sekretarin tuaj të përgjithshëm? Me pjesën e luanit të fondeve të rrugëve dhe energjisë, ju patjetër duhet ta keni mbi 40% gjobën. Por pyesni ena thoni!”

GAZMENT BARDHI, KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

“Sa është tarifa juaj dhe e kolegëve tuaj që merrni nga kompanitë private për të dërguar çështje në Gjykatën Kushtetuese, që bien ndesh me interesat e këtyre kompanive dhe ju jeni ofruar bujarisht të merrni para për të mbrojtur interesat e tyre në Kushtetuese, formë e lartë korrupsioni shumë”.

BELINDA BALLUKU, ZËVENDËSKRYEMINISTRE

Kreu i Grupit Parlamentar të PD kërkoi nga ministrja e Shëndetësisë që të jepte dorëheqjen, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar.

“Zonja Ministre e Shëndetësisë, si ka mundësi që heshtët për skandalin në ministrinë tuaj? Duke mos u distancuar nga aktet korruptive të bashkëpunëtorëve tuaj më të afërt, ju dëshmoni se korrupsioni i Sekretares suaj të Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ju tregoni se jeni pjesë dhe i shërbeni një sistemi të kalbur nga korrupsioni. Do të ishte në nderin tuaj të jepnit dorëheqjen!”.

GAZMENT BARDHI, KREU I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

Për Manastirliun, korrupsioni i sekretares së Përgjithshme në dikasterin e drejtuar prej saj, nuk e ngarkon me përgjegjësi ministren.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë. Jo vetëm për këtë ngjarje, nga e cila si institucion, distancohemi plotësisht. Çdo person, çdo individ ditën që merr besimin dhe bashkë më të, dhe detyrën e lartë në shërbim të publikut, merr Automatikisht dhe përgjegjësinë para ligjit. Dhe përgjegjësia është indiviuale! Veprimet e askujt nuk mund të baltosin punën dhe tërësinë së punonjësve të një institucioni”.

OGERTA MANASTIRLIU, MINISTRE E SHËNDETËSISË

Qasja e Qeverisë, vëren deputeti i PD, është një konfirmim i taktikës së ndjekur edhe në raste të tjera, ku përballë korrupsionit të gjithë bëjnë sikur nuk kishin dijeni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos