
Gjergji Vurmo, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, komentoi në “Absolut 4” programin ekonomik të Partisë Demokratike, duke i konsideruar “premtime që të bëjnë të mendosh se Basha dhe PD nuk ka promovuar një model të ri ekonomik”.
“Modeli i Bashës është ndërhyrja e shtetit në ekonomi, por nuk flet si do të sigurohen të ardhurat. Të përmbushësh ato premtime, ka nevojë për një buxhet të caktuar, që nuk mblidhet duke ulur taksat apo sigurimet shoqërore. Shqipëria është në atë pikë që ka nevojë për jo thjesht frymëmarrje, por për thithje të investimeve të huaja. Nuk më dha idenë e një modeli të ri. Opozita kishte 8 vite në dispozicion që jo vetëm të vinte me një listë cilësore, por edhe të rishpikte veten e saj. Pas daljes nga institucionet, e ka të pamundur të rishpikë listat. Besoj se opozita nuk ka asnjë opsion tjetër përveçse të shkojë te skemat e zakonshme për të ardhur në pushtet. Por, skemat janë të mazhorancës, opozita duhet të vijë në pushtet me frymë.”, u shpreh Vurmo.
Më tej, ai shpjegoi pse partitë e reja politike e kanë të vështirë që të “çajnë” në skenën politike shqiptare: “E para, lëvizjeve të reja u mungon eksperienca dhe e dyta, problemi është elektorati shqiptar. Njerëzit që do të bëjnë diferencën në zgjedhje janë shtresat e ulta dhe këto shtresa janë të lehta për t’u manipuluar. Mjafton një oligark në një zonë të caktuar. Sa i përket bashkëpunimit të lëvizjeve të reja, mendoj se bashkimi i tyre do të ishte jonatyral. Nga ai bashkim do të humbisnin të dyja lëvizjet”.
Ndërsa, analisti i A2, Afrim Krasniqi theksoi se “në sistemet politike si ato të Shqipërisë, shanset e partive të reja për të pasur sukses varen nga zemërgjerësia e partive të mëdha për t’i dhënë një mandat”. (A2 Televizion)