Korsi mbrojtëse për urën e Krimesë, Ukraina pretendon se Rusia po mbyt qëllimisht anijet

Nga A2 CNN
29 Gusht 2023, 19:18 | Aktualitet

Rusia ka "mbytur" një numër anijesh pranë urës së Krimesë duke përdorur "strategjinë 200 vjeçare" për t'u mbrojtur kundër kërcënimit në rritje të dronëve të lëshuar nga deti prej Kievit.

Imazhet satelitore tregojnë gjashtë objekte të errëta që janë shfaqur pranë urës së Krimesë brenda një periudhe shtatë ditore.

Fotot janë publikuar pas pretendimeve të bëra nga ministria e Inteligjencës së Ukrainës (GUR), se Rusia planifikonte të "mbysë me vullnetin e saj të paktën 6 mjete lundruese" pranë urës, për të krijuar një korsi mbrojtëse përpara saj.

Në imazhet satelitore të publikuara nga Planet Labs PBC më 19 gusht, asnjë objekt nuk është i dukshëm në ujin në jug të urës, por më 21 gusht shfaqen dy anije.

Dy ditë më vonë, më 23 gusht, një tjetër anije mund të shihet në sipërfaqen e ujit.

Megjithatë, deri më 26 gusht, gjashtë objekte në të njëjtat pozicione rreth 30 metra në largësi nga njëra-tjetra shfaqen në një ngjyrë më të errët, për të cilën ekspertët thonë se janë zhytur në ujë.

Analisti i sigurisë dhe mbrojtjes, profesor Michael Clarke tha se përdorimi i anijeve si formë bllokimi - anijet e mbytura në një vend strategjik për të formuar një pengesë fizike - është një përgjigje e vjetër ndaj një kërcënimi të ri të dronëve ukrainas që godasin nga deti

"Kjo është një zonë e madhe, kështu që ata vendosin një seri anijesh dhe pastaj një lloj pengese në mes të saj, që mund të përbëhet nga zinxhirë ose rrjeta çeliku, të cilat mund të ndalojnë çdo gjë që tenton të kalojë”, tha ai.

GUR në një postim në Telegram të martën e kaluar tha gjithashtu se Rusia do të vendosë barriera midis trageteve të fundosura për të mbrojtur urën nga dëmtimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos