Kosova gati për zgjedhje, KQZ: Ora policore të hiqet, vota mbrohet me prokurorë

Nga A2 CNN
15 Tetor 2021, 17:24 | Kosova
Kosova gati për zgjedhje, KQZ: Ora policore të hiqet, vota mbrohet me

Gjithçka është gati për zgjedhjet lokale të Kosovës që mbahen këtë të dielë. Për mbarëvajtjen e procesit do të ketë bashkëpunim ndërinstitucional.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se përgatitjet kanë nisur para katër muajve dhe pati një kërkesë për qeverinë.

“Kemi bërë një kërkesë në qeveri për pezullimin e kufizimit të lëvizjes për 48 orë, për të shtunën dhe të dielën me qëllim që të kemi një lëvizje edhe për stafin e KQZ-së, edhe për vëzhguesit, për komisionerët. Të paktën, ndoshta edhe policia nuk do t’i ndalojë ose ndëshkojë. Kjo kërkesë a do të aprovohet apo jo mbetet në vendim marrjen e qeverisë”, u shpreh Kreshnik Radoniqi.

Prokuroria e shtetit ka krijuar mekanizma për mbrojtjen e votës së qytetarëve duke angazhuar 80 prokurorë në 38 komunat e Kosovës.

“Nëse eventualisht do të ketë ndonjë keqpërdorim i votës së lirë të qytetarëve, prokurori i shtetit së bashku me policinë e Kosovës do të jenë gardianë të mbrojtjes së votës. Kështu që do të ndalohen dhe arrestohen të gjithë votuesit të cilët do ta keqpërdorin votën, mirëpo do të arrestohen edhe zyrtarët përgjegjës”, deklaroi prokurorja e shtetit Laura Pula.

Edhe forcat e rendit janë gati për ditën e zgjedhjeve dhe për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar 3 552 zyrtarë policorë.

“Qëllimi i këtij urdhri operativ në këtë proces zgjedhorë janë, krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës gjatë tërë procesit zgjedhor. Mbajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe sigurisë në vend, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve. Monitorimi dhe ndërmarrja e masave policore para, gjatë dhe deri në përfundim të procesit zgjedhor, sigurimi i qendrave të votimi”, u shpreh Samedin Mehmeti.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka angazhuar 35 gjyqtarë në nivel vendi për ditën e zgjedhjeve. Këtë të diel, më 17 tetor, janë thirrur në votime 1.8 milionë qytetarë të Kosovës, të cilët do të zgjedhin kryetarët e rinj komunalë dhe anëtarët e këshillave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos