Kosova ndër çështjet kryesore, Borrell do të sqarojë Këshillin e Ministrave të Jashtëm

Nga A2 CNN
26 Qershor 2023, 14:44 | Kosova
Kosova ndër çështjet kryesore, Borrell do të sqarojë

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për politikë të Jashtme, Josep Borrell, po informon ministrat e jashtëm të vendeve anëtare lidhur me ecurinë në dialogun Kosovë-Serbi dhe për tensionet e fundit mes të dyja vendeve. Këtë e konfirmoi vetë zyrtari i lartë i Unionit, i cili tha se kjo temë do të jetë ndër më të rëndësishmet në agjendë.

“Çështja e tretë që do të diskutojmë është situata aktuale në Kosovë. Kjo çështje ka qenë në vëmendje shumë të madhe këto ditët e fundit”, tha Borrell.

Përpara kryediplomatëve të BE-së do të bëhet raportimi nga Borrell dhe më pas ministrat do të diskutojnë për dialogun Prishtinë-Beograd duke dhënë qëndrimet e tyre.

“Ne do të diskutojmë dhe për situatën tepër shqetësuese në Ballkanin Perëndimor, me një fokus të veçantë tek tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Është e nevojshme që të ulen tensionet dhe të garantohet siguria e qytetarëve. Ne gjithashtu lëshuam një deklaratë në Slloveni, që thekson se 20 vite pas samitit të Selanikut, është vërtetë e rëndësishme që të dërgojmë një sinjal të fuqishëm politik, që në sajë të procesit të zgjerimit dhe partneritetit me pjesën lindore, ne duhet të punojmë krah për krah me Ballkanin Perëndimor dhe se askush nuk do të lihet pas. Situata atje është tepër shqetësuese dhe tensionet sa vjen e shtohen dhe të rinjtë po largohen”, tha Tanja Fajon, ministre e jashtme e Sllovenisë.

“Ne jemi të shqetësuar për situatën dhe zhvillimet e fundit në Kosovë. Arrestimi i 3 policëve të Kosovës nga ana e Serbisë është burim shqetësimi. Ne kërkojmë nga të dyja palët që të ulin tensionet dhe të rikthehen në tryezën e negociatave. Procesi i zgjerimit duhet të mbetet lart në agjendën tonë”, tha Gordan Grlić Radman, ministër i jashtëm i Kroacisë.

Nuk pritet që në përfundim të takimit të ministrave të jashtëm të merren vendime zyrtare apo të dilet me ndonjë konkluzion. Diskutimi në këtë këshill të ministrave të jashtëm të BE-së pritet që të flitet edhe për vendimin e fundit për lirimin e 3 policëve të Kosovës, të rrëmbyer më 14 qershor nga forcat serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos