
Qytetarët e Kosovës votojnë sot për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë në 38 komuna të vendit. Në këto zgjedhje marrin pjesë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 burra dhe 14 gra.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se në orën 7 të mëngjesit janë hapur te gjitha qendrat e votimet. Zëdhënësi Valmir Elezi në konferencën e parë të KQZ-së për sot, ka thënë se janë hapur 883 qendra te votimit dhe gjithsej 2477 vendvotime.
“Ju njoftoj se në orën 7 janë hapur të gjitha vendvotimet. Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 me gjithsej 2,477 vendvotime. Sot në Republikën e Kosovës mbahen Zgjedhjet Lokale të shtatat me radhë për Kuvende Komunale dhe të pestat për Kryetarë të Komunave. Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 Kryetarët e Komunave dhe 1,002 anëtarët e 38 Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje është: 5 mijë e 364 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për Kryetar Komune dhe 5 mijë e 198 kandidatë për Kuvende Komunale. Sipas listës përfundimtare të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote është: 1 milion e 885 mijë e 448”, ka thënë Elezi.
Zgjedhjet komunale mbahen për te zgjedhur 38 kryetar dhe anëtarët në kuvendet komunale. Të drejtë vote në gjithë Kosovën kanë 1 milion e 885 mijë e 448 qytetarë me të drejtë vote prej tyre 41 mijë e 12 votues të rinj
Këto janë zgjedhjet e shtata komunale që nga paslufta në Kosovë. (A2 Televizion)