
Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur Këshillin e Përgjithshëm në mesdite. Media në Kosovë, citon Albin Kurtin, të ketë thënë se datën për krijimin e qeverisë e përcakton LDK-ja dhe jo Presidenti, duke pohuar intensifikimin e takimeve me partinë e Isa Mustafës për një marrëveshje në janar.
“80 ditë nuk mjaftuan për ta arritur marrëveshjen që kërkohej sepse kishte kërkesa përtej mandatit. Ne kemi marrë mesazh të qartë në zgjedhje, që opozita e djeshme të jetë pozita e ardhshme. Ne si lëvizje jemi munduar të reflektojmë në këtë mesazh”, ka thënë Kurti, i cili pas marrjes së drejtimit të Parlamentit nga Vetëvendosje tha se pret formimin e koalicionit qeverisës sepse nuk duan pengesa të panevojshme.
“Ne nuk do të ishim VV nëse nuk punojmë e kërkojmë ashtu siç duan qytetarët. Kohë për të humbur nuk kemi sepse s’kemi ekonomi të zhvilluar, nuk kemi shërbime të mira shëndetësore dhe pothuajse të gjithë sektorëve iu duhet ndërhyrje”, tha kreu i Vetëvendosjes. (A2 Televizion)