Krasniqi në “Absolut 4”: Mazhoranca nuk e ka sjellë ndryshimin, por është fat për të pasi s’ka opozitë

Nga A2 CNN
18 Janar 2021, 21:52 | Politikë
Krasniqi në “Absolut 4”: Mazhoranca nuk e ka sjellë

I ftuar në emisionin “Absolut 4” në A2, analisti Afrim Krasniqi komentoi punën e këtij parlamenti dhe të qeverisë gjatë këtyre 7 viteve.

Ai u shpreh se është lajm i mirë për vendin që sot ka nisur sezoni i fundit parlamentar, pasi sipas tij, legjislatura aktuale ka qenë një nga më të dobëtat në histori.

“Sot, ishte fillimi i sezonit të fundit parlamentar dhe ky është një lajm i mirë për shqiptarët që një pjesë e deputetëve nuk do të jenë më pjesë në parlament sepse politika përfaqësuese në Shqipëri ka prekur fundin. Legjislatura aktuale ka qenë një nga më të dobëtat në historinë e tranzicionit shqiptar”, u shpreh Krasniqi.

Ne jemi i vetmi vend në historinë moderne të Europës, ku opozita dorëzon mandatet dhe i vetmi vend ku mazhoranca fiton 74 mandate dhe e mbyll me 95 mandate. Kjo ka ardhur për shkak të trafikut të lirë me deputetët e ardhur nga listat e opozitës. Asnjë nga reformat e mëdha nuk ka marrë zgjidhje. Vendimi më i rëndësishëm që është marrë është ndryshimi kushtetues. Ndoshta është parlamenti që ka ushtruar më pak kontrollin kushtetues mbi pushtetin ekzekutiv. Ka qenë krejt e kundërta.

Mazhoranca ka pasur një bilanc pozitiv në mandatin e parë, ndërsa mandati i dytë është konsum pushteti, sidomos në rastin e PS-së. Në këto rrethana, nuk mund të flasim për program qeverisës, pasi nuk kemi as objektiva dhe asgjë të shkruar”.

Krasniqi theksoi se kjo mazhorancë nuk ka pse kërkon një mandat të tretë, pasi nuk solli ndryshim gjatë kësaj periudhe. Në anën tjetër, ai u shpreh se është fat për mazhorancën, pasi vendi nuk ka opozitë. “Për shkak se të gjitha pushtet janë njësuar në grupe familjare, lobiste e grupe kontrolli, nuk ka më politikë në Shqipëri. Ne flasim për mandat të tretë. Mandati kërkohet për të sjellë ndryshime për vendin, por mazhoranca e kishte këtë mundësi dhe nuk ka sjellë gjë. Fati i madh i mazhorancës është se Shqipëria nuk ka opozitë. Në këto rrethana është luks i madh sot të bëhet politikë në Shqipëri, për sa kohë të gjithë vendimet merren dhe janë të ligjëruara”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos