Krasniqi në Debat: Individë të listës së zezë vijojnë të jenë protagonistë në politikë

Nga A2 CNN
11 Prill 2022, 20:55 | Politikë
Krasniqi në Debat: Individë të listës së zezë

Futja e ish-deputetit Aqif Rakipi në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte temë kryesore e Debatit në A2 CNN me gazetaren Alba Alishani.

Studiuesi Afrim Krasniqi u shpreh se ka ardhur koha që partitë politike dhe liderët e tyre duhet të kërkojnë falje për afrimin e personave me rekorde kriminale në jetën politike të vendit. Sipas tij, shumë politikanë karriere u larguan që persona të tillë t’i bashkoheshin Kuvendit.

Për Krasniqin është e habitshme që sot në Shqipëri vazhdojnë që individë të listës së zezë të jenë protagonistë kryesorë të politikës.

“Si është e mundur që individë që kanë rekorde hyjnë lehtësisht në politikë, pa patur meritë, pa qenë produkt i një procesi votimi? Si është e mundur që largohen politikanët e aftë dhe afrohen persona që nuk kanë asnjë lloj kontributi? Si është e mundur që këta persona kanë lidhje të drejtpërdrejt me kryetarin. Këta janë individë të përzgjedhur nga lideri politik dhe janë dërguar në institucionin që prodhon ligje dhe që duhet të na çojnë drejt BE. Këta individë që i kanë përzgjedhur të kërkojnë ndjesë dhe të mbajnë përgjegjësi, po i vendosin Shqipërisë një damkë të madhe.

Kemi 9 deputetë që largohen për shkak të dekriminalizimit apo akuzave të tilla nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mendoj se ky është momenti që partitë duhet të reflektojnë për të bërë një lloj katarsisi. Është e habitshme që sot në Shqipëri vazhdojnë që individë të listës së zezë të jenë protagonistë kryesorë të politikës. Dy prej partive politike vazhdojnë të drejtohen prej tyre. Është i habitshëm ndikimi i tyre publik”, tha Afrim Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos