Shpallja non grata, i biri i Aqif Rakipit: Jam i gatshëm të jap dorëheqjen

Nga A2 CNN
11 Prill 2022, 19:25 | Politikë
Shpallja non grata, i biri i Aqif Rakipit: Jam i gatshëm të jap

Kjo javë nisi me diell por qielli i socialistëve u mbush me rrufe të cilat erdhën përtej Atlantikut. Futja në listën e zezë të ish-deputetit Aqif Rakipi gjeti të papërgatitur deputetët përpara seancës plenare, madje edhe pasardhësin e tij në sallë, Ornaldo Rakipi. Në reagimin e tij të parë për mediat ai shprehu bindjen në pafajësinë e babait të tij, por pranoi marrjen e përgjegjësive politike mbi supe.

Java e gjelbër e parlamentit u kthye në një ditë të zezë për maxhorancën. Kjo e hënë solli lajmin se Departamenti Amerikan i Thesarit kishte futur në listën e zezë ish-deputetin Aqif Rakipi, ku në sallën e parlamentit ka lënë pasardhësin e tij, djalin.

SHBA e akuzon Rakipin se është përfshirë në veprimtarinë e blerjes së votave, akuzë e kahershme e opozitës ndaj maxhorancës që kishte mbetur e paverifikuar nga drejtësia shqiptare por u pranua nga ajo Amerikane.

“Babai im është tërësisht i pafajshëm”, deklaroi i biri, deputeti Ornaldo Rakipi.

Efekti domino i këtij vendimi mund të prekë dy deputetë socialist, djalin e Ornaldo Rakipi dhe dhëndrin, Saimir Hasallën. I pari deputet në Tiranë, ndërsa i dyti në Elbasan, zonë në të cilën SHBA akuzon ish-deputetin si të përfshirë në grupe kriminale.

Lajmi përtej Atlantikut që erdhi në Shqipëri nëpërmjet një cicërime twitteri, i gjeti të pa përgatitur, si të majtët ashtu edhe të djathtët.

Tashmë në Kuvendin e Shqipërisë ka tre deputetë të prekur nga vendimet e SHBA për korrupsion. Dy të afërmit e Aqif Rakipit dhe Sali Berisha, i cili përpara kamerave nuk pranoi ta komentonte këtë vendim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos