
Shpallja non grata e ish-deputetit Aqif Rakipi dhe pronarit të Radio Televizionit Ora, Ylli Ndroqi tregon që aktet korruptive janë cenim për SHBA, por edhe kambanë alarmi për të tjerët. Këtë mendim ndanë në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN analistët Aleksandër Çipa, Lutfi Dervishi dhe Afrim Krasniqi. Në këndvështrimin e tyre pritej që në Shqipëri shpallja non grata të ishte në nivele më të larta sikurse në rajon.
Për Çipën ky proces do të vazhdojë dhe në ditët e ardhshme mund të futen në listë edhe fusha të tjera korruptive në vendin tonë, ku ekziston mundësia që të përfshihen edhe vendet e BE-së në këtë nismë.
“Me Ndroqin kemi paraprirjen e procesi që kaloi përmes sekuestrove të pronësisë përfshirë edhe median që zotëron. Në dy rastet e fundit të DASH, dy personat përfshihen dhe me asetet dhe influencën që kanë pasur në mjedisin e biznesit. Ka edhe një aspekt mbi influencën politike dhe administratën kryesisht në Elbasan e Tiranë. Këto janë pjesë e një debati. Kjo është një listë dhe proces që do të vazhdojë në mënyrë të veçantë për rajonin. Ajo që konsideruam këmbëngulje amerikane të bashkëshoqërohet në të gjithë hapësirën territoriale. Ky është inkurajim i shkëlqyer nga SHBA. Për herë të parë jepet një masë nga qeveria britanike për Bosnjën. Po krijohet një perceptim për koalicion antikorrupsion nga perëndimi në adresë të Ballkanit. Në ditët e ardhshme do të kemi edhe në fusha të tjera si pjesë e angazhimit të drejtësisë kombëtare me proces hetimor në vendin ku kanë ushtruar veprimtarinë. Nuk përjashtohet mundësia që të përfshihet në këtë nismë dhe qëndrimi i vendeve të BE”.
Për Lutfi Dervishin kjo është një kambanë alarmi për gjobëvënës të tjerë në media dhe partitë politike.
“Nuk është thjesht lista e zezë e DASH po e departamentit të Thesarit. Ndryshe nga lista e DASH thuhet që personat e dizenjuar kanë mundësi që nëse ndryshojnë sjellje mund ta apelojnë vendimin për të hequr veten nga kjo listë. Ajo që të bën përshtypje është një ish-deputet ndërkohë që në RMV është ish-kryeministri dhe në Bosnjë po ashtu, por është një kambanë që bie për të tjerët, sepse tregon konsistencën e politikës amerikane, që mbetet e pacenuar dhe memorandumi për luftën ndaj korrupsionit është në fuqi dhe mekanizmat po ndërtohen. Korrupsioni përbën cenim të interesave kombëtare të Amerikës, aktet korruptive përbëjnë cenim të interesave kombëtare dhe cenim për demokracinë. Ne e shohim në nivele jo shumë të larta, por është kambanë për gjobëvënës të tjerë në media dhe partitë politike. Më shumë se për Rakipin e Ndroqin kambana bie për të tjerët”.
Edhe për Afrim Krasniqin, ky ishte një zhvillim i pritshëm por në nivele më të larta.
“Ishte zhvillim i pritshëm, por ajo që nuk ishte r pritshme ishte niveli, pritej të ishte në nivele më të larta. Nëse e krahasojmë me rajonin në Shqipëri është në nivel simbolik për dy individë jashtë politikës. Në rastin e Rakipi ka dy anëtarë të familjes në jetën politike”.
Ndërkaq lidhur me sanksionet britanike ndaj dy politikanëve në Bosnjë, Dervishi thotë se janë sinjale që kanë të bëjnë me stabilitetin e Bosnjës dhe që paralajmërojnë individët që përkrahin lëvizjet e Dodik. (A2 Televizion)