U akuzua se bllokoi ambasadorët, Meta: Gënjeshtra, gati të vij në Kuvend për të zbardhur të vërtetën

Nga A2 CNN
11 Prill 2022, 19:27 | Politikë
U akuzua se bllokoi ambasadorët, Meta: Gënjeshtra, gati të vij

Presidenti Ilir Meta ka reaguar edhe njëherë për akuzat e kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se  kreu i shtetit ka bllokuar qëllimisht emërimin e ambasadorëve të vendit.

Me anë të një letre drejtuar kryetares së Kuvendit, drejtueses ë Komisionit të Jashtëm dhe ministres së Jashtme, Ilir Meta pasi i cilësoi gënjeshtra deklaratat e kryebashkiakut, shprehu gatishmërinë për të shkuar në Kuvend për zbardhjen e të vërtetave për këtë çështje.

“Deklaratat e Kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës, lidhur me “bllokimin e qëllimshëm të ambasadorëve” nga ana e Presidentit të Republikës janë vetëm gënjeshtra të qëllimshme, të cilat synojnë vetëm të s’postojnë vëmendjen e opinionit publik nga situata kritike në të cilën ndodhet vendi, nga problemet reale të qeverisjes dhe skandalet e saj dhe të përpiqen të denigrojnë Institucionin e Presidentit të Republikës.

Edhe një herë ju bëj me dije juve dhe nëpërmjet jush të gjithë opinion publik, se Presidenti i Republikës nuk ka rrëzuar, refuzuar apo bllokuar asnjë propozim të qeverisë aktuale për Ambasador të Republikës së Shqipërisë në ndonjë vend apo organizatë ndërkombëtare, përkundrazi është treguar shumë bashkëpunues dhe i përgjegjshëm duke dekretuar në kohë dhe në respekt të ligjit propozimet e kësaj qeverie për Ambasadorë apo Shefa Misioni Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në vendet mike apo organizatat ndërkombëtare.

Dëshiroj t’ju tregoj edhe një herë të gjithë vullnetin tim, që së bashku me ju të nxisim këtë proces dhe të shpreh gatishmërinë time të plotë që në çdo moment, në ushtrim të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, të vij, ashtu siç edhe kam ardhur kur ka qenë e domosdoshme, edhe në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë për të zbardhur të vërtetën por edhe për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje të rëndësishme për vendin dhe për përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare”, shkruhet mes të tjerash në letrën e Metës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos