
Politika u rikthye sot në Kuvend, por patjetër me dinamika të ndryshuara nga pasojat e pandemisë së koronavirusit. Por për analistin Afrim Krasniqi, debatet e dëgjuara sot janë thjesht ”formale, dhe nuk kanë ndikim në agjendën parlamentare. Akteve normative mund t’ i skadonte afati dhe ishin të detyruar të mblidheshin”.
Edhe pse thotë se masat “po injorojnë standardet për të drejtat e njeriut”, për Krasniqin, më shumë se masat shtrënguese, problematike është praktika institucionale, që po i serviret opinionit publik. “Ne nuk jemi në gjendje lufte. Ndryshimi i Kodit është një precedent që mund të përsëritet, do të mbahet shënim si tejkalim i Kushtetutës, edhe nga organizatat ndërkombëtare”, duke dëmtuar sërish politikën shqiptare.
Për më shumë, për Krasniqin vendimi mund të jetë i panevojshëm. “Kushtetuta parashikon një procedurë të gjatë kur ndryshohet Kodi Penal, nuk ndryshohet në një javë siç po ndodh. Do të shkojë gjithsesi në Presidencë, nuk e ka të thjeshtë të kalojë, dhe rrezikon të hyjë në fuqi kur situata të jetë qetësuar, duke e bërë të panevojshëm”, gjykon analisti për A2.
Sipas Krasniqit, kryeministri në daljen e tij të parë në Kuvend duhet të prezantonte një plan masash ekonomike konkrete, ndërkohë që “bëri fjalim elektoral dhe denigrues ndaj deputetëve të tjerë”, që sipas tij tregon se “politika po mundohet të zhvendosë vëmendjen”. (A2 Televizion)