
Ndryshe nga kolegët e tjerë demokratë që deklarojnë se baza e PD është e bashkuar, por janë 2 grupimet ato që po e dëmtojnë partinë më të madhe opozitare, deputeti Kreshnik Çollaku dha një mendim të kundërt.
Gjatë emisionit Debat në A2 CNN, deputeti Çollaku u shpreh se baza e demokratëve është më e përçarë se kurrë dhe kjo gjë u vu re dhe në zgjedhjet e 6 marsit ku votat u ndanë pothuajse në mënyrë të barabartë në dy pjesë, ndërkohë që një pjesë e mirë e votuesve të djathtë nuk dolën fare në votim.
“Në 6 mars shifrat u ndanë me thikë gjysmë për gjysmë. Nja 7 mijë votues të tjerë as nuk denjuan fare të dilnin në votime dhe ndenjën në shtëpi, të demotivuar nga ky konflikt. Është tragjike që ne të mos lexojmë këtë situatë dhe të mos kërkojmë gjendjen e mundësive të dalim me një kandidat. Kjo është gjëja më e thjeshtë, formula që ua kam thënë të dy palëve është e thjeshtë. Nuk është çështja se është grupi i PD i ndarë, në të gjithë strukturën e PD, në të gjithë republikën, PD e 25 prillit, që nga kreu, deri në seksioni më i fundit është e ndarë. Ne jemi parti me dy struktura. Ne kemi dy kryesi qendrore, dy këshilla kombëtar etj.. Nuk ka asnjë seksion që është i plotë. Të garantoj që ky konflikt është më i thellë te njerëzit në bazë sesa tek ne këtu në qendër. Deputetët dhe miqtë e mi te Rithemelimi takohemi në kafet e parlamentit, ndërsa militantët tanë në bazë janë të ndarë”, u shpreh Çollaku.
Deputeti demokrat shtoi se ka një zgjidhje për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme lokale me një kandidat dhe ajo është që në çdo bashki të lejohet baza të propozojë dhe të zgjedhë emrin që do pa ndërhyrjen nga Tirana. (A2 Televizion)