
Europa bëhet gati për Krishlindjet më të pazakonta në histori. Vigjilenca është maksimale, ndërsa një mutacion i ri i koronavirusit po përhapet nga Britania e Madhe.
Shumë italianë, u dyndën drejt stacionit terminal të Romë, pak orë para hyrjes në fuqi të izolimit kombëtar, për t’iu bashkuar familjarëve për Krishtlindje. Nga 24 dhjetori, e gjithë Italia do të jetë zonë e kuqe. Lëvizjet do të ndalohen, përveçse një herë në ditë për të shkuar tek të afërmit. Një rast me variantin anglez të Covid-19, pa lidhje direkte me Britaninë e Madhe u evidentua në rajonin e Loretos, në Itali.
Autoritetet në Francë po përballen me rritje drastike të kërkesave për testime në prag të festave. Laboratorët e qendrat e testimeve janë plot me njerëz, ndërsa familje të tëra po u nënshtrohen testeve para se të vizitojnë të afërmit më të moshuar.
Në Britaninë e Madhe, ministrat po konsiderojnë nëse do të vendosin më shumë zona nën kufizimet më strikte, në përpjekjen për të frenuar përhapjen e variantit të ri. Sipas rregullave të reja, qytetarët që jetojnë në zonat e klasifikuara si me rrezik të lartë, mund të kalojnë festat vetëm me familjarët e tyre.
Fushata e vaksinimit që pritet të nisë më 27 dhjetor rreth vendeve të BE, pritet t'i japë shpresa të reja Europës së përfshirë nga ankthi. Kamionët me temperaturën e nevojshme që transportojnë vaksinën e Pfizer, kanë filluar të shpërndajnë vaksinat në shtetet anëtare. (A2 Televizion)