
“Numri i qytetarëve kritikë ndaj qeverisë është shumë më i madh sesa përkrahësit e opozitës”. Kështu u shpreh në A2 analisti Afrim Krasniqi, i cili shtoi më tej se, në këtë situatë, opozita duhet të hapet më tej.
“Në këto rrethana, një opozitë serioze do të duhej të hapej në mënyrë masive, të ftonte çdo zë që është kritik dhe të zgjeronte bazën e konsultimit. Këtë proces, PD nuk e ka bërë ende. Zgjedhjet e fundit ishin pozitive në thelb, por ishin zgjedhje të mbyllura, ku deri diku, strukturat e brendshme zgjodhën njëri-tjetrin. Këto dy elemente e kanë penalizuar strategjinë elektorale”
Krasniqi theksoi se më tej se, kur PD doli në opozitë nuk bëri një reformë të brendshme dhe për të, kjo është një “vetëvrasje politike”.
Sa i përket situatës aktuale, ku palët kanë rënë disi në qetësi, Krasniqi u shpreh se palët janë duke u marrë me veten.
“Gjithmonë, kur partitë janë me tone të ulura, ka dy argumente, ose ka bisedime në prapaskenë, në këtë rast nuk është kjo praktikë, ose janë duke u marrë me veten. Ne e shohim situatën aktuale, palët janë duke u marrë me veten. Opozita përfundoi një proces të zgjedhjes së kandidaturave dhe tashmë duhet të shpallë publikisht, kush janë koalicionet, kush është formati i saj politik, kush është vendimi dhe kush është strategjia elektorale dhe cilat janë listat. Në këtë mënyrë, e ka pasur edhe të kushtëzuar retorikën politike, për shkak se nuk është e përfaqësuar në agjendën parlamentare.
Nga ana tjetër, mazhoranca është duke bërë të njëjtën gjë. Pas krizës së pësuar me ngjarjet e fundit, ka nevojë për kohë. Në këto rrethana, nuk pritet të ketë tensione politike, për sa kohë nuk janë përcaktuar strategjitë elektorale dhe kjo do të nisë në muajin janar”, tha Krasniqi. (A2 Televizion)