Thellohet kriza politike në Austri. Presidenti Alexander Van der Bellen ka vendosur se do të ketë zgjedhje të parakohshme, pas kërkesës së vetë kancelarit Sebastian Kurz për marrjen e një vendimi të tillë.

Vendimi i bujshëm që trazon vendin në prag të zgjedhjeve evropiane, vjen si pasojë e skandalit mediatik të një përgjimi video ku zëvendës kancelari austriak, Heinz-Christian Strache duket sikur bisedon me sipërmarrës të rremë rus, të cilëve i siguron ndërmjetësimin në disa aktivitete, ndër to blerjen e një gazete dhe favorizimin e tyre, në këmbim të miliona euro financim në fushatë.
Edhe pse Stache, i cili i përket partisë së djathtë FPO, cilësoi videon si "atentat politik” dhe komplot i shërbimeve sekrete, kreu i qeverisë Kurz, i partisë OEVP, deklaroi se “ çdo gjë ka një limit. Me FPO bashkëpunimi është i pamundur. Dua të punoj për Austrinë pa skandale, këto dy vite kam gëlltitur shumë për hir të reformave”.
Edhe pse presidenti austriak nuk ka dhënë ende një datë konkrete për zgjedhjet e parakohshme, duket e pamundur që ato të zhvillohen bashkë me ato evropiane. (A2 Televizion)