
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe lideri i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, kanë rënë dakord të takohen në Moskë në javët e ardhshme. Lajmi u bë i ditur këtë të diel nga Kremlini.
Dy liderët nuk janë takuar që prej nisjes së protestave antiqeveritare për zgjedhjet e fundit presidenciale, që i dhanë fitoren Lukashenkos.
Në një telefonatë të dielën, Putin dhe Lukashenko ranë dakord se ata duhet të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të zgjerojnë bashkëpunimin, shkruan Reuters. “Është rënë dakord të mbahet një takim në Moskë në javët e ardhshme”, njoftoi Kremlini.
Tri ditë ma përë, Putin u shpreh se Rusia i ka gati trupat për të ndërhyrë në Bjellorusi, por thekson se këtë gjë do ta bëjë në momentin kur "ekstremistët të fillojnë të djegin automjetet ose shtëpitë".
Të premten, kryeministri shqiptar, Edi Rama, mblodhi në Vjenë Këshillin Special të OSBE-së që ai kryeson. Rama nënvizoi rëndësinë që qeveria e Minskut të pranojë ofertën e ndërmjetësimit të OSBE-së, duke synuar një dialog konstruktiv ndaj palëve. Po ashtu, kryeministri shqiptar theksoi se oferta nuk është një imponim i OSBE-së ndaj Bjellorusisë, por një ofertë ndihme nga një organizatë që krenohet me qasjen e saj gjithëpërfshirëse. (A2 Televizion)