
Do të mbështesim qeverinë e pakicës, por nuk do të jemi pjesë e saj. Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, shuan dyshimet mbi përfshirjen e Partisë Demokratike të socialistëve, e drejtuar prej tij, në qeverinë e ardhshme në shtetin e përfshirë nga kriza politike.
Në një intervistë për DW, Gjukanovic thotë se do të përkrahin çdo qeveri që do të ruajë karakterin qytetar dhe laik të Malit të Zi, do të promovojë demokracinë multietnike dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik te vendit.
Ai pohon se Mali i Zi është "në proces të konsolidimit të pushtetit” dhe se interesi më i madh është që sa më shpejt të ketë një qeveri të përgjegjshme. Presidenti paralajmëron se vendi rrezikohet nga nacionalizmi serbomadh, siç e cilëson, ndërsa një prej anëtarëve të koalicionit të qeverisë së deritanishme ishte profilizuar qartë pro Serbisë së Madhe. (A2 Televizion)