Kronologjia e një tragjedie turke
Më shumë se 22 mijë persona kanë humbur jetën, sipas shifrave të deritanishme, nga tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën.
Një katastrofë e vërtete, që orë pas ore merr përmasa edhe më tragjike.
Goditja e parë erdhi rreth orës 4 të mëngjesit, me epiqendër të Gaziantep. Magnituda 7,8.
Sikur të mos mjaftonte kjo, pak orë më vonë, një tjetër tërmet, me magnitudë 7,5, “vulosi” fatin e miliona personave, si dhe të Turqisë e Sirisë.
Në Ankara, Erdogan ngriti menjëherë shtabet e emergjencave për të organizuar punën.
E gjithë bota shprehu menjëherë solidarizim me Turqinë. Skuadra shpëtimi nga SHBA, BE, Shqipëria e Kosova u nisën drejt Turqisë.
Fatkeqësia bashkoi edhe Ukrainën e Rusinë, dy shtete në luftë me njëri-tjetrin, por që ofruan ndihmë për Turqinë e Sirinë.
Punonjësit e skuadrave të kërkim-shpëtimit vijojnë të jenë në garë me kohën, për të nxjerrë sa më shumë të gjallë nën rrënoja.
Mes gërmadhave dëshpëruese, shfaqeshin disa rreze shprese, ku fëmijë të vegjël e deri edhe foshnja, nxirreshin nga pirgu i godinave të shembura, si një “klithmë” që jeta do të fitojë gjithmonë mbi vdekjen.
Ndërsa të mbijetuarit i lëkundnin foshnjat në batanije, pasi djepi apo shtrati i parë i blerë mes ëndrrave është shkatërruar...
Tërmetet vdekjeprurës në botë që prej vitit 2002
Tërmeti i parë i të hënës dhe paslëkundjet që e pasuan shkaktuan një tragjedi që llogaritet mes më të rëndave të 20 viteve të fundit, duke futur Turqinë e Sirinë, në një “listë të zezë”, të mbushur me shifra tronditëse viktimash, të plagosurish dhe dëmesh të pallogaritshme materiale.

Grupi i xhirimit të A2 CNN ishte në Turqi, për të dëshmuar atë që ndodh aty, në zonat më të prekura.
Mes temperaturave të ulëta dhe kujdesit për të qëndruar sa më larg lëkundjeve të radhës.
Në Malatya, kryesuesi i grupit shqiptar të kërkim-shpëtimit, Endrit Cengu, dha një lajm të mirë, nxjerrjen e një fëmije 5-vjeçar nga rrënojat.
Shumë të tjerë nuk ia kanë dalë dot. Shifrat në ditët e ardhshme mund të rriten edhe më tepër, sipas parashikimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.
Në mes të kësaj tragjedie turke, ekipi i A2 CNN u mundua që të gjendet pranë banorëve të Adanas, duke shpërndarë ushqime për njerëzit që nuk largoheshin dot nga rrënojat.
Në këtë qytet, si dhe të tjerët e prekur nga tërmeti, shumë kërkojnë të largohen, por shumë të tjerë qëndrojnë aty, buzë gërmadhave, me shpresën se, djali, vajza, nëna, babai, motra, ose vëllai i tyre, do të gjendet i gjallë.
(A2 Televizion)