Kryemadhi: Basha mori para për të bojkotuar zgjedhjet, zbardhni llogaritë e fondacioneve në Holandë

Nga A2 CNN
30 Mars 2022, 21:59 | Politikë
Kryemadhi: Basha mori para për të bojkotuar zgjedhjet, zbardhni

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha në Debat nga Alba Alishani, në A2 CNN, se Lulzim Basha ka marrë para që të mos garojë në zgjedhjet vendore të vitit 2019. E gjithë opozita vendosi asokohe të mos merrte pjesë në zgjedhje, edhe LSI, ndërsa më parë kishin djegur edhe mandatet në Parlament.

Duke paralajmëruar bashkëpunim me PD, tashmë që drejtimin e saj e ka marrë Komisioni i Rithemelimit dhe Sali Berisha, Kryemadhi tha se gabimet e bashkëpunimit me Bashën nuk do të përsëriteshin.

“E para ishte pranimi i vendimeve flagrante që Basha i bënte frontit opozitar, duke filluar nga djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale. Unë personalisht do ta digjja në shenjë solidariteti, por grupi parlamentar u ngrit dhe tha se “do të na zënë njerëzit me gurë”. Presidenti ka qenë historikisht kundër djegies së mandatave. Madje më ka thënë “mos kujto se Asadit shqiptar do t’i vijë keq”, për Edi Ramën. “Dhe mos kujto se Brukseli ka hall shumë të madh demokracinë që po shkel Edi Rama aty”. Gabimi tjetër që ne bëmë, ishte bojkotimi i zgjedhjeve. Sa është paguar lideri i opozitës për të mos hyrë në zgjedhje lokale? Unë mendoj që po. Mjafton të zbardhen llogaritë financiare të familjarëve të tyre dhe fondacioneve bamirëse që janë në Holandë”, tha Kryemadhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos