Kryemadhi: Edhe një votë është e domosdoshme për ta çuar Shqipërinë më shpejt në Europë

Nga A2 CNN
25 Prill 2021, 18:39 | Politikë
Kryemadhi: Edhe një votë është e domosdoshme për ta

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u ka bërë thirrje grave dhe vajzave që të dalin dhe të votojnë edhe këtë pak kohë që ka mbetur. Në një deklaratë për mediat në prag të mbylljes së votimeve, ajo tha se edhe një votë është e domosdoshme për ta çuar Shqipërinë më shpejt në Europë.

“Edhe 43 minuta na ndajnë nga mbyllja e kutive të votimit. Për të gjithë ju gra dhe vajza, të cilat jeni robtuar duke bërë punët e shtëpisë, lërini për 5 minuta dhe drejtojuni qendrave të votimit. Për të gjithë ju burrat, që keni luftuar gjithë këto kohë për të mbajtur familjet tuaja, drejtohuni në qendrat e votimit dhe bëhuni pjesë e ndryshimit. Për të gjithë ju gjyshër dhe gjyshe, të cilët nuk keni pasur mundësi për të lëvizur, merrni në telefon nipërit tuaj që t’iu marrin me makinë dhe t’iu çojnë në qendrat e votimit. Ndryshimi ka ardhur, bëhuni edhe ju pjesë e ndryshimit. Është e jashtëzakonshme pjesëmarrja, por edhe një votë është e domosdoshme për ta çuar Shqipërinë më shpejt në Europë”.

Ajo u shpreh optimiste për fitoren e opozitës, ndërsa falënderoi të gjithë ata që kanë votuar.

“Jam jashtëzakonisht optimiste. Projeksionet janë të jashtëzakonshme, fitorja e opozitës është e jashtëzakonshme. Ftoj të gjithë ata që janë skeptikë, të cilët nuk besojnë tek institucioni i votës në këto 43 minuta që kanë mbetur të drejtohen me vrap në qendrat e votimit.  Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë votuar, të gjithë ato të rinj dhe të reja që kanë qenë pjesë e këtij procesi, të gjithë ata burra dhe gra që duan ta ndryshojnë Shqipërinë dhe duan të sjellin më vërtetë atë klimë, atë frymë dhe atë entuziazëm. Mjafton që të shikoni qendrat e votimit, mjafton të shikoni fytyrat e të rinjve dhe të rejave që janë rrugëve të Tiranës, të Durrësit, të Elbasanit, të Korçës , të Shkodrës, të Sarandës, të Vlorës që ndryshimi është aty. Bëhuni pjesë e ndryshimit. Votoni, votoni, votoni. Sot më shumë se kurrë vota juaj ka vlerë. Sot vota juaj ndan përfundimisht tranzicionin. Sot përfundimisht vota juaj i jep drejtimin Shqipërisë drejt Europës, më të sigurt se kurrë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos