Presidenti Ilir Meta deklaroi nga Vlora se “standardi i zgjedhjeve është kusht për çeljen e negociatave dhe besoj se do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të mos zhgënjejmë sot dhe të nisim një epokë të re në Shqipëri”.
“Do të jem kudo që të jetë e nevojshme, për të dhënë mesazhin e rëndësishëm nga Vlora e Flamurit, se duhet të vazhdojmë edhe në minutat në vijim që të marrim pjesë në zgjedhje. Pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje. Që të tregojmë se e kemi kuptuar fuqinë e votës sonë”, tha Meta.
“Është e domosdoshme që ecuria e mrekullueshme e ditës së sotme të vazhdojë kështu, derisa të përmbyllet procesi i votimit dhe i ftoj të gjithë që të kryejnë një detyrim qytetar dhe demokratik”, shtoi Kreu i Shtetit.
“Standardi i zgjedhjeve është kusht për çeljen e negociatave dhe besoj se do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të mos zhgënjejmë sot dhe të nisim një epokë të re në Shqipëri. Nesër, asnjë qytetar nuk mundet t’i kërkojë llogari askujt nëse nuk voton”, nënvizoi Meta. (A2 Televizion)