Kryemadhi prezanton planin politik të LSI, që u pengua nga rezultati i 25 prillit

Nga A2 CNN
30 Janar 2022, 13:02 | Politikë
Kryemadhi prezanton planin politik të LSI, që u pengua nga rezultati i

Monika Kryemadhi prezantoi gjatë një takimi me të rinjtë planin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim për ato që do të sillnin në ekuilibër pushtetet në demokracinë shqiptare. Kryemadhi tha se plani u pengua nga rezultati i dobët i 25 prillit, duke sulmuar edhe Edi Ramën e Lulzim Bashën.

“Tani stafeta është e juaja, sfidoni sistemin aktual, do keni mbështetjen dhe vëmendjen time”, u tha Kryemadhi të rinjve në takim.

Kryemadhi tha se LSI do të kërkojë një sërë ndryshimesh, që do ta bëjnë Shqipërinë të pavarur nga Basha e Rama, dy njerëz që sipas saj “po e mbajnë peng vendin”.

“Ndryshimi i formulimit të përmbajtjes së mocionit të Mosbesimit dhe atij të Besimit. Që Shqipëria të mos jetë më një republikë kryeministrore, por të ngremë parlamentarizmin në fuqinë e vërtetë që parashikonte Kushtetuta e vitit 1998 e miratuar me referendum.

Ndryshimi i formulimit të ligjit për referendumet, me qëllim që të realizohet praktikisht. Sepse nuk ka asnjë logjikë që politikanët shqiptare zgjidhen çdo 4 vjet në Parlament, dhe e izolojnë vendimmarrjen nga qytetarët.

Rregullim ligjor për të rritur efektivitetin dhe për të pasur rezultate konkrete të komisioneve hetimore parlamentare. Sepse është vërtetuar se komisionet hetimore këto 30 vjet kanë shërbyer si qoka për t’i mbyllur aferat korruptive, në vend që t’i mbajnë përgjegjës ata që duhet të japin llogari para qytetarëve.

Ndryshime ligjore për PPP, koncesionet, tenderimet.

Ristrukturim i administratës publike, duke ecur me parimin qeveri e vogël (10-12 ministri) dhe institucione e drejtori qendrore të riorganizuara (100-150 institucione varësie e drejtori), pjesë të Administratës Publike.

Pa harruar edhe një pikë që ne si LSI e kemi besuar fort që në gjenezën tonë: Zgjedhja e Presidentit drejtpërdrejt nga populli”, tha Kryemadhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos