Këshilltari i Komisionit të Helsinkit në Kongresin Amerikan, Bob Hand e konsideron problematike për Shqipërinë nëse do të miratojë paketën e ligjeve antishpifje: “Do të jetë e vështirë që Shqipëria të ngrejë zërin për lirinë e shprehjes në ato vende të OSBE-së që kanë më shumë kufizime sesa Shqipëria në këtë drejtim”.
Përmes një interviste për Zërin e Amerikës, Hand nxiti qeverinë dhe Parlamentin ta rishikojnë paketën antishpifje, sipas sugjerimeve të përfaqësuesit të OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir, dhe u bëri thirrje politikanëve në vend të bëjnë kompromise për të mirën e vendit.
“Sigurisht, kur bëhet fjalë për të ngritur zërin për lirinë e shprehjes, për gjendjen e të drejtave të njeriut brenda Rusisë, që nuk është e favorshme ndaj shoqërisë civile dhe lirisë së shprehjes, pozita e Shqipërisë do të forcohej po të lëvizte në një drejtim pozitiv, duke e konsoliduar lirinë e shprehjes. Si kryesuese e radhës, do të nxiste vendet e tjera të ndërmarrin hapa për të respektuar angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes, median e lirë dhe mbrojtjen e gazetarëve investigativë”, tha këshilltari i Komisionit të Helsinkit. (A2 Televizion)